Largimi i ministrit të Financave, Ervin Mete, dhe ardhja në vend të tij e Petrit Malaj është shoqëruar me lëvizje të tjera në këtë ministri.
Javën e kaluar është liruar nga detyra z.Nikolla Lera, që ishte Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Politikave Tatimore dhe kishte udhëhequr ligjin për tatimin mbi të ardhurat, që vendosi tatimin mbi profesionet e lira, që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese së fundmi.
Sot, mësohet se është larguar nga detyra e sekretarit të përgjithshëm Risena Xhaja, e cila e kishte marrë këtë pozicion në mars të vitit 2023, duke zëvendësuar Arlind Gjokutaj. Në atë kohë ministria drejtohej nga Delina Ibrahimaj.
Mësohet se i është kërkuar dorëheqje këshilltarit Rudolf Papa për çështjet juridike, i cili ka në detyrë që kur erdhi si ministre financash Anila Denaj.
Ndërkohë që i gjithë kabineti i ministrit Mete dha dorëheqjen që me largimin e ministrit.
Në datën 28 korrik, kryeministri Rama njoftoi se Ervin Mete do të largohet nga Ministria e Financave, duke e mbajtur këtë post më pak sesa një vit, pasi kishte zëvendësuar Delina Ibrahimin. Në vend të tij u emërua Petrit Malaj, që mbante pozicionin e drejtorit të AKBN-në.
Krahas Metes u largua nga detyra ministri i Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes.
Nga Ministria e Brendshme u largua Taulant Balla, i cili do të marrë postin e ministrit të Shtetit për marrëdhënien me Parlamentin. Niko Peleshi u larua si ministër i mbrojtjes dhe u propozua që të drejtojë grupin parlamentar të Partisë Socialiste./Monitor