Pas përfundimit të vizitës disa ditore në Shqipëri, ku zhvilluan takime me drejtues të qeverisë dhe ekspertë të ministrive, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë konstatimet për ekonominë shqiptare. Misioni I rradhë si FMN u drejtua nga Znj. Anke Weber.
“Ekonomia shqiptare u rrit me 3.5 për qind në vitin 2023, kryesuar nga një konsum privat i qëndrueshëm, me forcim të konsiderueshëm të turizmit dhe ndërtimit. Performanca e sektorit fiskal dhe e sektorit të jashtëm ka tejkaluar pritjet, me suficit primar dhe deficit të llogarisë korente përkatësisht 0.7 për qind dhe 1 për qind të PBB-së. Presionet inflacioniste janë ulur dhe inflacioni shënoi vlerën 2.1 për qind në qershor, si pasojë e rënies së çmimeve të lëndëve të para. Ekonomia pritet të ruajë vrullin e saj pozitiv këtë vit, me një rritje të parashikuar në rreth 3¼ për qind. Inflacioni pritet të kthehet gradualisht në objektivin prej 3 për qind.”
“Rreziqet janë gjerësisht të balancuara. Një aktivitet turistik mbi pritshmëritë mund të zhvendosë balancën e rreziqeve për lart. Tensionet e rritura gjeopolitike përfaqësojnë një rrezik të mundshëm për poshtë, ndërkohë që ekonomia mbetet e ndjeshme ndaj rreziqeve të goditjeve të sektorit energjetik të lidhura me motin dhe një ndryshimi të papritur të kahut të kursit të këmbimit. Në afat të mesëm, progresi për reformat në planin e ri të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor mund të nxisë rritjen potenciale, ndërkohë që prirjet demografike përfaqësojnë një rrezik kyç për poshtë.”
“Goditjet ekonomike në vitet e fundit kanë nënvizuar rëndësinë e rindërtimit të hapësirave të përshtatshme fiskale për të siguruar qëndrueshmëri të vazhdueshme ndaj goditjeve të ardhshme. Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve për një politikë fiskale të kujdesshme, siç reflektohet nga pajtueshmëria e hershme dhe e vazhdueshme me rregullat fiskale sipas Ligjit Organik të Buxhetit.
Ne nënvizojmë rëndësinë e një konsolidimi fiskal afatmesëm ambicioz dhe menaxhimi të kujdesshëm të borxhit për të reduktuar nevojat për financim bruto dhe për të mbrojtur qëndrueshmërinë fiskale. Një konsolidim i tillë duhet të mbështetet nga masa për të nxitur mobilizimin e të ardhurave, për të gjeneruar përfitime nga efikasiteti dhe për të rritur shpenzimet produktive.”
“Progresi i vazhdueshëm në reformat fiskale mbetet kritik për besueshmërinë e kuadrit fiskal. Ne mirëpresim miratimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave deri në fund të këtij viti. Shqipëria do të përfitonte nga një sistem tatimor i mbështetur nga një mbulim gjithëpërfshirës, rregulla të drejta dhe stimuj të duhur për të garantuar një barrë të barabartë mes taksapaguesve. Në këtë kontekst, ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat ndihmoi në bërjen e sistemit tatimor më të drejtë, duke siguruar që profesionistët e lirë të tatohen në një mënyrë të krahasueshme me tatimpaguesit e tjerë të punësuar. Masat për mobilizimin e të ardhurave që zgjerojnë bazën tatimore, përfshirë reformat e tatimit mbi pronën, mbeten të rëndësishme.”
“Ne mirëpresim miratimin e Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike dhe bëjmë thirrje për operacionalizimin e plotë të një kuadri të forcuar të menaxhimit të investimeve publike, si dhe përparim të mëtejshëm në reformat e partneritetit publik-privat (PPP). Në këtë drejtim, plotësimi dhe publikimi i raporteve për PPP-të dhe koncesionet për vitet 2022 dhe 2023 janë të mirëpritura dhe ne inkurajojmë publikimin në kohë të raporteve të ardhshme. Deklarata pilot e pavarur e Rreziqeve Fiskale është një hap kyç në forcimin e menaxhimit të rrezikut fiskal. Më tej, një përparim konkret në rritjen e mirëqeverisjes dhe mbikëqyrjes së ndërmarrjeve shtetërore vazhdon të jetë vendimtar për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale.”
“Qëndrimi aktual i politikes monetare është i përshtatshëm, me presionet e çmimeve nga rritja e pagave potencialisht të zbutura nga një inflacion i importuar më i ulët për shkak të mbiçmimit të lekut. Autoritetet duhet të vazhdojnë të monitorojnë nga afër zhvillimet e çmimeve dhe të mbajnë një qasje mbështetur në të dhëna ndaj politikës monetare. Më tej, një kurs i lirë këmbimi duhet të jetë amortizuesi kryesor i goditjeve. Një mbikëqyrje e vazhdueshme fleksibël dhe instrumentet e shtuara prudenciale do të ndihmojnë ekonominë në kapërcimin e pasigurive financiare dhe ekonomike.
Progresi në reformat financiare duhet të vazhdojë, duke përfshirë forcimin e mëtejshëm të kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator dhe thellimin e tregjeve financiare. Në kuadër të rritjes së fortë të kredisë, vendimi i fundit i Bankës së Shqipërisë për të rritur shtesën kundërciklike të kapitalit është i përshtatshëm dhe miratimi i një shtese të rrezikut sistemik mund të rrisë më tej qendrueshmërinë. Përpjekjet që po bëhen për të forcuar rregulloren për mbrojtjen e konsumatorit, duke përfshirë atë për institucionet financiare jobanka, janë thelbësore për ruajtjen e integritetit dhe besimit në sistemin financiar. Për më tepër, me mbi një dekadë të kaluar nga Vlerësimi i fundit i Stabilitetit të Sistemit Financiar (FSAP), ne inkurajojmë autoritetet të marrin në konsideratë një Program të ri të Vlerësimit të Sektorit Financiar. Në tërësi, ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë është thelbësore për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar.”
“Ekipi shpreh mirënjohjen për diskutimet e dobishme dhe mikpritjen e autoriteteve dhe homologëve të tjerë në Shqipëri. Misioni i ardhshëm i FMN-së në Shqipëri për Konsultimet e Nenit IV për vitin 2024 pritet të zhvillohet në nëntor.”