Banka Qendrore Europiane (BQE) ka ulur normat e interesit për herë të parë në gati pesë vjet. Banka mori kthesën e politikës monetare, duke ulur koston e huamarrjes, përpara homologëve të saj në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo lëvizje erdhi pasi përgjatë viteve të fundit bankat qendrore kishin rritur normat e interesit për të frenuar shtrenjtimin më të madh të çmimeve në një gjeneratë.
BQE uli normën e saj bazë të depozitave me një çerek pikë përqindjeje në 3.75 për qind pas mbledhjes së këshillit të saj drejtues në Frankfurt të enjten.
Banka tha se në vijim do të vazhdojë të ketë një “qasje që do të jetë në varësi të ecurisë së të dhënave, pas çdo takimi”.
Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde tha muajin e kaluar se ishte “me të vërtetë e sigurt” se inflacioni i Eurozonës ishte nën kontroll pasi u ngadalësua nga një kulm mbi 10 për qind në 2022 afër objektivit të tij prej 2 për qind.
Megjithatë, të dhënat e publikuara javën e kaluar treguan se inflacioni u përshpejtua për herë të parë këtë vit në 2.6 për qind në maj.
Kjo shifër e shtyu BQE-në të rrisë paksa parashikimet e saj për inflacionin për këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Banka tha se inflacioni do të jetë mesatarisht 2.5 për qind këtë vit, 2.2 për qind në vijim dhe 1.9 për qind në 2026.
Lëvizja e së enjtes erdhi një ditë pas një uljeje të ngjashme të normës nga Banka e Kanadasë dhe pas vendimeve të mëparshme për të lehtësuar politikën monetare nga bankat qendrore në Brazil, Meksikë, Kili, Zvicër dhe Suedi këtë vit.
Në të kundërt, Rezerva Federale e SHBA pritet të mbajë të pandryshuara normat e saj në takimin e radhës, pasi presionet e çmimeve në ekonominë më të madhe në botë rezultuan më të forta sesa pritej.
Normat e interesit janë në nivelin më të lartë të 25 viteve, duke u luhatur 5.25 deri në 5.5 për qind.
Edhe për Bankën e Anglisë analistët nuk presin që të ulet norma bankare nga niveli më i lartë 16-vjeçar prej 5.25 për qind, kur të mblidhet më 20 qershor./FT