Në prill, profesionistëve të lirë iu publikuan në sistem deklaratat për “Këste paraprake të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi”.
Ndonëse këto këste ishin në zbatim të ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat, – që hyri në fuqi në 1 janar dhe vendoste tatimin për profesionet e lira me 15% deri në 14 milionë lekë të ardhura dhe 23% mbi këtë kufi.
Por njoftimi i kësteve, ashtu siç pritej dhe siç ishte paralajmëruar, u shoqërua me reagime të shumta. Debatet lindën kryesisht për shkak të zbatimit gjysmak të ligjit dhe mungesës së informimit paraprak nga institucionet përkatëse shtetërore.
Së pari, kishte paqartësi në termat e përdorur, duke detyruar administratën të fshijë nga sistemi njoftimin e vlerësimit.
Së dyti, deklarimi i të ardhurave u bë sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.
Së treti, periudha e këstit të përllogaritur dhe publikuar nga tatimet ishte e paqartë dhe pagesa 12-mujore është ngjeshur në 9 muaj.
Së katërti, në llogaritjet për parapagimin e tatimit të thjeshtuar nga administrata tatimore nuk është marrë parasysh zbritja e shpenzimeve 30% (që parashikon ligji për subjektet me xhiro deri në 10 milionë lekë), por vetëm shpenzimet e deklaruara nga biznesi, duke bërë që këstet të rezultonin më të larta në raport me përllogaritjet paraprake të biznesit, bazuar në logjikën e ligjit. Tatimet thanë që zbritja do të bëhet në fillim të viti të ardhshëm, pasi nuk u arrit që të realizoheshin formularët e rinj.
Në këtë rrëmujë aktesh normative ata që e pësuan janë profesionistët që do të detyrohen të paguajnë shuma, që pjesa më e madhe e tyre i quajtën padrejtësish të larta, ose nuk i kanë rezervuar, sepse kanë ndjekur logjikën e ligjit.
Ligji është dërguar tashmë në Kushtetuese nga disa palë interesi. Arsyet e dërgimit të ligjit në Kushtetuese janë, cenimi i barazinë mes tatimpaguesve, parimet e shtetit të së drejtës, dhe shkeljes së konkurrencën mes bizneseve me efekt rritjen artificiale të tarifave për shërbimet e ofruara nga profesionistët e lirë.
Në kulmin e këtij debati, gjatë periudhës 23-30 prill, “Monitor” zhvilloi një sondazh online të targetuar për profesionistët e lirë, përmes platformës që synon matjen e reagimit qytetar ECR (Engaged Citizens Reporting). Sondazhi përfshiu një kombinim të pyetjeve sasiore dhe cilësore.
Reagimi ishte i lartë. Sondazhin e plotësuan 613 profesionistë të lirë, 35% e të cilëve ishin femra. Prej tyre, 71% ishin nga Tirana.
Rezultatet e sondazhit treguan qartë perceptimin negativ të zbatimit të ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat.
96% e të anketuarve u përgjigjën që aplikimi i tatimit progresiv do të kishte ndikim negativ në aktivitetin e tyre. Vetëm 3% thanë se nuk do të kishte ndikim, ndërsa zgjedhja për efekt pozitiv ose pa ndikim ishte më pak se 1%.
Pjesa më e madhe e subjekteve do të rrisin çmimet; 23% do të mbyllin biznesin, ose emigrojnë
Ndonëse e prisnin zbatimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat, profesionistët e lirë duket se janë dorëzuar përballë paqartësive ligjore dhe zbatimit gjysmak, që çoi në këstet e larta, që duhet të parapaguajnë.
Të gjithë do të duhet të përshtaten ndaj këtij realiteti të ri, ndërsa pothuajse të gjithë thanë që pasojat do të jetë negative, jo vetëm për ta por edhe klientët e tyre që do të përballen me kosto më të lartë të shërbimeve që do të marrin nga kontabilistët, avokatët, profesionistët e IT-së etj.
38% e të anketuarve thanë se do të detyrohen të rrisin çmimet, 26% deklaruan se do të sakrifikojnë fitimin neto dhe 4% deklaruan se do të ulin shpenzimet e aktivitetit. Ndonëse parashikojnë të rrisin çmimet, kjo duket e vështirë në një treg ku konkurrenca është e lartë. “Do të përpiqem të rris çmimet por kjo nuk është e lehtë pasi bizneset kanë bërë buxhetime. Mund edhe ta mbyll. Tashmë i kam lënë bizneset me tarifa të ulëta. Kam reduktuar me 60% aktivitetin duke hequr dhe të punësuarit”, komenton një kontabiliste nga Tirana.
Shumë të tjerë po mendojnë seriozisht që jo vetëm të mbyllin aktivitetin, por dhe të emigrojnë, që ishin zgjedhjet e 23% të të anketuarve. Konkretisht, 17.5% e të anketuarve thanë se do e mbyllin ose pezullojnë aktivitetin, ndërsa 5.4% të tjerë thanë se përveçse do mbyllnin biznesin do të largoheshin jashtë vendit. Kosova dhe Estonia ishin dy nga zgjedhjet e përmendura për emigrim.
“Do të mbyll aktivitetin e do e rihap në Kosove se ka sistem tatimor më të përshtatshëm”, ka shkruar, një konsulente nga Tirana. Një analiste dixhitale nga Kukësi pohon se “Do të mbyll aktivitetin në Shqipëri dhe do të krijoj një entitet ligjor në Estoni që të jep më shumë siguri në lidhje me politikat fiskale, dhe ka infrastrukture të shkëlqyer dixhitale”.
“Më duhet të mendoj e të zhvendosem të jetoj jashtë bashkë me familjen, tatimi mbi të ardhurat personale prek 2 të burimet e vetme të të ardhurave në familje (burrë e grua)”, thotë një ekonomist nga Tirana.
Dëmi moral që qeveria ka krijuar duke lejuar shpërdorime të mëdha të taksave, siç po rezulton nga hetimet e SPAK ndihet kudo në përgjigjet e këtij pyetësori.
“Do të aplikoj për vizë në Estoni si nomad dixhital që të përfitoj taksa 0. Nuk mund të paguaj 500 euro në muaj për 2500 euro rrogë. Të paktën jo në një vend si Shqipëria, ku taksat po shpërdorohen hapur dhe të akuzuarit dalin me arrest shtëpie”, thotë një zhvillues nga Tirana.
Rreth 3% e të anketuarve thanë se do të mbyllin aktivitetin dhe do të punonin në të zezë, ose do deklaronin më pak aktivitet sesa reali. Rreth 1% kanë shpresë se ligji do të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese dhe vetëm 0.8% thanë se do të paguajnë sa u thotë ligji. Pak po mendojnë që të kalojnë si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, apo të zgjerojnë aktivitetin në mënyrë që të përballojnë tasat e reja.
Ka tre skenarë, shkruan një profesionist i marketingut nga Durrësi: 1. Profesionistët do të rrisin çmimet. 2. Do të deklarojnë më shumë shpenzime e më pak faturime. 3. Do të pezullojnë aktivitetet.
“Pasojat do të jenë më negativet të mundshme, duke mbyllur shumë aktivitete, duke ulur numrin e bizneseve në treg, duke na përkeqësuar financat e kompanisë, duke pushuar punonjësit nga puna, duke ulur xhiron tonë si pasojë e mbylljes së bizneseve, një përkeqësim të gjithë bazës profesionale në Shqipëri, me pasoja evazionin dhe rënien e cilësisë në të gjitha profesionet e lira”, shkruan një, Auditues nga Tirana.
Profesionistët paralajmërojnë se efekti negativ do të ndihet edhe te shoqëritë tregtare. -“Ligji bazohet vetëm në një kod ekonomik të përgjithshëm pa marrë parasysh se shoqëria ofron shërbime të tjera përveç teknologjisë së informacionit. Ne kemi të punësuar të tjerë, ky ligj prek të gjitha shoqëritë tregtare jo vetëm të vetëpunësuarit! Duhet të shkurtojmë vendet e punës nën presionin e pagave të rritura dhe taksave të reja të cilat janë të papërballueshme ose do të rrisim çmimet ose të mbyllim aktivitetin. Biznesi ka një plan të paktën 10-vjeçar, ndërkohë që politikat fiskale të qeverisë ndryshojnë çdo vit, ndryshe nga premtimet. Jemi totalisht të zhgënjyer”, thotë një ekspert i shërbimeve të tjera të teknologjisë së informacionit nga Tirana.
Mosinformimi për shtyrjen e zbritjes prej 30%, bëri që 64% e të anketuarve të mos deklaronin shpenzimet
Fitimi i tatueshëm i profesioneve të lira, sipas ligjit të ri, do të llogaritej duke zbritur nga të ardhurat totale një vlerë të njohur apriori shpenzimesh në masën 30% (për të ardhurat deri në 10 milionë lekë), ose në rast të kundërt duke mbajtur kontabilitet të plotë të të ardhurave dhe shpenzimeve.
Por, për shkak se nuk u arrit të miratohej formulari i ri i deklarimit të të ardhurave shkalla tatimore 15% për tatimin mbi fitimin u llogarit në bazë të të ardhurave, shpenzimeve dhe fitimit të deklaruar nga vetë subjektet për 2023 që u përfshinë në regjimin e ri.
Ndërkohë, një fushatë informimi nga ana e financave dhe organeve tatimore mungoi.
Moszbatimi i plotë i ligjit shkaktoi amulli tek bizneset, një pjesë e madhe e të cilëve pohojnë se nuk i deklaruan shpenzimet, pasi ishin të informuar që do të zbriteshin automatikisht. Si rrjedhojë, subjektet u gjendën përballë faturave të papritura të larta, për shkak se shumë prej tyre panë që ishin tatuar për të gjitha të ardhurat.
64% e të anketuarve thanë se shpenzimet e vitit 2023 nuk janë zbritur nga detyrimi tatimor. Prej tyre, 82% thanë se nuk e kishin deklaruar shpenzimet, pasi mendonin se ato do të njiheshin dhe zbriteshin automatikisht, apo se mendonin se nuk ishte e nevojshme që ti pasqyronin ato.
Kredi për të paguar taksat
Të gjendur përballë një shpenzimi të papritur të lartë, pjesa më e madhe e profesionisteve të lirë deklarojnë se nuk kanë mundësi për të paguar. Kjo ishte përgjigjja e 75% të të anketuarve, ndërsa vetëm 25% thanë që kishin mundësi për të paguar.
Shpresa kryesore e tyre është rishikimi i kësteve pas apelimit, apo dhe rrëzimi i ligjit nga Gjykata Kushtetuese. Këto opsione i kanë zgjedhur gati gjysma e të anketuarve që u shprehën se nuk kanë mundësi të paguajnë.
21% e të anketuarve thanë se nuk do të paguajnë pasi nuk kanë mundësi.
Ka dhe nga ata që deklaruan se do t’u drejtohen bankave për të marrë kredi, zgjedhja e 18% të të anketuarve. Të tjerë, të gjendur përballë pamundësisë për të paguar, mendojnë të mbyllin aktivitetin (8.7%).
Ligji i ri do të rrisë evazionin
Në vitin 2014, qeveria e re socialiste vendosi që të përshkallëzojë tatimin mbi të ardhurat, duke e rritur atë deri në 23%, nga e sheshtë 10% që ishte më parë.
Fillimisht pragu mbi të cilin paguhej tatimi prej 23% ishte 130 mijë lekë dhe më pas u rrit gradualisht në 150 mijë dhe 200 mijë lekë që është aktualisht.
Ky nivel i lartë nxiti profesionistët të dilnin nga skema e sigurimeve dhe hapën biznese si persona fizikë, ku paguanin taksa minimale. Këto lëvizje nxitën tatimet që të bënin disa herë ndryshime ligjore që synonin të kufizonin këto shmangie, ku më i fundit është zbatimi i regjimit të ri tatimor nga 1 janari 2024 për tatimin progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetë punësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira.
Por, edhe kjo lëvizje e fundit nuk pritet të luftojë evazionin, përsa kohë që pjesa tjetër e bizneseve të vogla do të vijojë të ketë tatim zero deri në 2029-n.
89% e të anketuarve thanë se vendosja e tatimfitimit për profesionet e lira do të rrisë evazionin dhe informalitetin dhe vetëm 3% deklaruan që jo.
-Parimisht çdo pagesë që do të mundem, do ta marr cash. Ata që duan faturë do t’i faturoj një 20% plus. Parapagimi është shumë i gabuar pasi krijon barrë të panevojshme. Pse mos ta bëjnë si mbledhja e TVSH-së që çdo 3 muaj, të del detyrimi dhe e paguan”, thotë një, programues nga Tirana.
Në vitin 2023 të 29 mijë profesionistët e lirë kanë deklaruar gjithsej të ardhura prej 85 miliardë lekësh, sipas të dhënave nga financat, ose rreth 810 milionë euro. Fitimi neto i deklaruar nga 29 mijë profesionistët e lirë në vitin 2023 ishte 51 miliardë lekë, ose 490 milionë euro.
Të ardhurat neto që i mbeten një profesionisti pas zbritjes së shpenzimeve prej rreth 1400 euro në muaj (490 milionë euro/29 mijë profesionistë). Në bazë të vetëdeklarimit të fitimeve neto për vitin 2024, rezulton se 29 mijë profesionistët e lirë do të paguajnë rreth 7.6 miliardë lekë (ose 75 milionë euro) tatimfitimi të thjeshtuar. Me zbatimin e kësaj norme të re, e ardhura neto e profesionistëve të lirë zbret në më pak se 1200 euro/muaj.
“Mendoj se shumë persona që kanë mundësi ta kthejnë pagesën në cash, do e marrin cash dhe do të deklarojnë një fitim fare minimal. Ne që paguhemi gjithsesi nga kompani të huaja nëpërmjet bankës nuk mund ta bëjmë këtë por do marrim kosto nga pagesa e taksës. Kjo është e vetmja kategori, nga e cila do mblidhet taksë. Është edhe një kategori e trete ku paguhen me bankë dhe thjesht do të marrin përsipër rrezikun duke mos i deklaruar. Disa profesionistë që kanë qenë në mëdyshje mes emigrimit apo jo, ky ligj do i shtyje ata të ikin përfundimisht Ne total nuk besoj se do të mblidhet ndonjë shumë domethënëse nga kjo takse, aq me pak aq sa mendon qeveria”, thotë një programues nga Tirana.
“Ky ligj do të shkaktojë shume evazion fiskal e rritje çmimesh që shume biznese nuk do t’i përballojnë siç jam unë, një biznes i ri që nuk kam as 6 muaj që e kam hapur niptin dhe tani po mendoj që ta mbyll dhe të gjej forma të tjera për të punuar dhe të mos të paguaj asgjë. Shumë biznese do të fillojnë të operojnë me para ne dore e kështu do rritet evazioni fiskal”, thotë një kontabilisti i ri nga Durrësi.
Dëmtohet statusi ekonomik i profesionisteve gra
Shumë femra kanë gjetur një burim të ardhurash përmes vetëpunësimit në profesione të tilla si kontabiliste, avokate, eksperte e teknologjisë së informacionit etj.
Sondazhi e targetoi posaçërisht dhe këtë grup, që rezulton ndër më të prekurat. 92% e të anketuarave femra thanë se vendosja e tatimit mbi të ardhurat dëmton statusin ekonomik dhe shoqëror të profesionisteve gra dhe vetëm 3% u përgjigjën që jo. Tatimi pritet të ndikojë negativisht sidomos vajzat e reja që janë në hapat e para të sipërmarrjes.
“Kam zgjedhur të kthehem në Shqipëri dhe të punoj remote për kompaninë sepse doja të jetoja në vendin tim si edhe për shkak të lehtësive të tjera. Tani më duhet të ndryshoj kontratën dhe të rikthehem në shtetin ku jetoja më parë”, thotë një analiste biznesi nga Tirana.
“Unë jam Avokate e re në profesion dhe nuk e kam aq të lartë fitimin sa të tatohem me 15%. Mendoj që duhet të bëhen disa përjashtime nga ky tatim si p.sh., këtu po flas për eksperiencën time personale. Jam Avokate e re dhe prej një viti kam zyrën time, tregu është shumë i ashpër dhe klientela është shumë e vështirë për t’u rritur. Për Avokatët e rinj p.sh., të paktën të bëhet një përjashtim nga ky tatim për 5 vitet e para, që dhe ne të kemi mundësi të qëndrojmë në treg”, thotë një avokate nga Elbasani.
Efekt negativ ka dhe për gratë që punojnë për mbajtjen e familjes.
“Ky ligj e fundos shtresën e mesme. Ndikimi në buxhetin e shtetit është i pandjeshëm, ndërsa ne profesionisteve të lira na rrënohet jeta e përditshme. Të ardhurat tona shkojnë drejtpërdrejt për mbajtjen e familjeve tona. Çmimet e ushqimeve, qirave, karburantit kanë kërcyer pa asnjë kontroll, ndërkohë qe tatimi na heq mundësinë që të përballojmë jetesën e përditshme”, thotë një përkthyese nga Tirana.
Çfarë parashikon ligji
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u miratua në muajin mars 2023 nga Parlamenti. Në muajin dhjetor u botua në Fletoren Zyrtare vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave me listën për shërbimet e profesioneve të lira që do të përfshihen në taksimin e ri, duke përfshirë 26 lloje aktivitetesh duke nisur nga shërbimi IT, i kontabilitetit, avokatët, arsimin, mjekët, pasuritë e paluajtshme, agjencitë e lajmeve, agjencitë e punësimit, të sportit operatorët turistikë etj.
Ligji parashikon që të ardhurat neto të tatueshme (fitimi i tatueshëm) nga biznesi për individët tregtarë dhe të vetë punësuarit me qarkullim vjetor deri 14,000,000 lekë tatohen me normën tatimore 15% dhe për bizneset me qarkullim vjetor mbi 14,000,000 lekë norma e tatimit është 23%.
Ligji parashikon përzgjedhjen e regjimit të veçantë të zbritjes së shpenzimeve apriori 30% për individët tregtarë dhe të vetëpunësuar me qarkullim vjetor deri në 10,000,000 lekë ose opsionin e zgjedhjes së deklarimit të shpenzimeve të zbritshme bazuar në dokumentacionin dhe faturat respektive për çdo shpenzim.
Ndërsa bizneset me qarkullim vjetor mbi 10,000,000 lekë deri në 14,000,000 lekë tatohen me normën 15%, por kanë detyrimin të dokumentojnë nëpërmjet faturave shpenzimet.
Edhe kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore bazuar në dokumentacionin dhe faturat respektive për çdo shpenzim, por ndryshe nga fashë e parë fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%./Monitor