22 milionë euro do të investojë qeveria shqiptare për të nxitur sipërmarrjet inovative. Ministrja për Sipërmarrjen Delina Ibrahimaj ka prezantuar strategjinë kombëtare për vitin 2024-2030 e cila parashikon marrjen e një sërë masash për mbështetjen e bizneseve të reja. Çdo biznes do të mund të ofrojë sugjerime për të përmirësuar dokumentin deri në fund të muajit Prill 2024.
Në qendër të kësaj strategjie është rritja dhe fuqizimi i rolit të sipërmarrësit, përmes nxitjes së inovacionit, zhvillimit të talenteve vendase, krijimit të ambienteve të përshtatshme për rritje dhe zhvillim, si dhe mbështetjes së financimit dhe politikave të përshtatshme për sipërmarrjen.
Qeveria shqiptare synon që deri në vitin 2030, Shqipëria të ketë një ekosistem sipërmarrës dhe inovativ të njohur globalisht, duke u kthyer në një nga vendet lider në Evropë në inovacion dhe të jetë një magnet për investime.
Draft Strategjia Kombëtare e Zhvillimit të Sipërmarrjes Inovative 2024 – 2030, dhe plani i veprimit për zbatimin e saj, hedhur për konsultim publik janë hartuar si një dokument politikash afatmesëm i shtrirë në 6 vite, me qëllim që deri në 2030-tën, sipërmarrësit shqiptarë të kenë akses në kapitalin e nevojshëm për të zhvilluar projektet e tyre dhe të mbështeten nga një rrjet shërbimesh publike dhe programe asistence që do t’ua lehtësojnë rrugën. Strategjia mbështetet në tre shtylla kryesore, siç janë Ekosistemi Inovativ Sipërmarrës; Sektorët Strategjik (S3); Zhvillimi Gjithëpërfshirës.