Në Kuvend është depozituar një nismë e re për aplikimin e një sistemi adresash, ku çdo godinë e rrugë të ketë një kod unik dhe emërtimin përkatës.
Por sa ndërtesa dhe apartamente ka në Shqipëri?
Referuar të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Adresave (RKA), rezulton se në Shqipëri numërohen 471 mijë e 945 apartamente. Po ashtu, numërohen 774 mijë e 431 ndërtesa.
Deri më tani, rezulton se procesi i emërtimit ka përfunduar për 150 mijë segmente rrugore në të gjithë vendin si dhe për 115 mijë e 11 ndërtesa që janë të lidhura me segmentet rrugore ku pozicionohen, sipas të dhënave teknike.
Përpjekjet për ndërtimin e një sistemi adresave kanë qenë të hershme, por kjo nuk është realizuar ende për shkak të mosimpenjimit në proces nga ana e njësive vendore.
Por cilat janë përfitimet ekonomike që pritet të sjellë aplikimi i një sistemi unik adresash?
Si për qytetarët, ashtu dhe për qeverinë ky proces do të jetë frytshënës në ndikimet ekonomike që do të kenë të gjitha grupet e përfshira. Biznesi, sektori privat do të përfshihet nga një hov më i shpejtë zhvillimi pasi u lehtëson operacionet e logjistikës dhe zinxhirit të furnizimit. Adresat e përmirësuara mund të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik duke lehtësuar planifikimin dhe zhvillimin më të mirë të infrastrukturës.
Adresimi i plotë i pjesëve të territorit publik ndihmon në identifikimin e zonave për rritje potenciale, tërheqjen e investimeve dhe mbështetjen e bizneseve lokale. Po ashtu, një sistem i besueshëm dhe gjithëpërfshirësh adresash ndihmon në mbledhjen efikase të taksave pasi adresat e sakta e bëjnë më të lehtë për organet qeveritare identifikimin e pronave dhe bizneseve të tatueshme, duke siguruar që të ardhurat nga taksat të mblidhen në mënyrë më efektive.
Shërbimi postar shtetëror dhe privat do të operojë më shpejt duke përmbushur veprimtarinë e tij. Në sistemin gjyqësor gjithashtu do të vërehet një shkurtim i kohës së gjykimit të cështjeve, duke adresuar një prej qëllimeve të tij, atë të realizimit të një drejtësie pa vonesa.
Në të njëjtën mënyrë do të lehtësohet dhe vetë veprimtaria e organeve të administratës publike, policisë, rendit dhe sigurisë publike për të cilat do të mundësohet gjetja dhe lokalizimi i individit në territor. Të gjitha ndikimet pozitive te grupet e prekura, do të shoqërohen me një efekt pozitiv edhe në ekonominë e tyre.