Investitorët e huaj po shfaqin interes për sektorin energjetik dhe vecanërisht për energjinë e gjelbërt. Zhvillimi i këtij sektori ishte në fokus të konferencës së zhvilluar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj me temë “Tranzicioni i Energjisë drejt Axhendës së Gjelbër”, ku e ftuar ishte edhe zv.kryeministrja dhe ministrja e Energjetikës, Belinda Balluku. Ajo deklaroi se pas nxitjes së investitorëve për të financuar në këtë sektor ka ardhur koha edhe për të stimuluar depozitimin e energjisë. Një tjetër drejtim është edhe transmetimi i energjisë drejt vendeve të rajonit. Ministrja përmendi idenë e një Korridori 8 në energjetikë.
Fjala e plotë e Ministres Balluku
Është një kënaqësi shumë e madhe për mua që të jem gjithmonë këtu. Dua të falënderoj organizatorët, sidomos Kostandinin dhe Marinelën. Marinela është një forcë e natyrës dhe kur do që ti të jesh prezent nuk ka shanse, se duhet lënë gjithçka dhe duhet të jesh këtu.
FIAA prej disa vitesh organizon dhe tashmë po kthehet në traditë, i gjithë ky panel i madh me fokus energjinë. Për të thënë të drejtën bën një sens tashmë e gjithë kjo mbledhje, e gjithë kjo prezencë e të gjithë faktorëve dhe kontributorëve të sektorit energjetik, pasi ne çdo muaj kemi ndryshime, kemi arritje, ka një dinamizëm ky sektor që tashmë karakterizohet nga punë konkrete.
Deri para disa vitesh mblidheshim këtu për të folur çdo të bënim në të ardhmen, ndërkohë që tashmë ka ardhur koha që ne të mblidhemi, të shikojmë pas çfarë kemi bërë gjatë këtyre muajve nga takimi ynë i fundit, pasi është më pak se një vit në qoftë se nuk gabohem dhe nga ana tjetër të bëjmë planet që kemi për të ardhmen.
Unë e kam thënë që në krye të herës që asnjë punë e mirë nuk bëhet vetëm. Është e pamundur që qeveria shqiptare të bëjë një ndryshim rrënjësor të sektorit energjetik duke nisur nga kuadri rregullator dhe duke vazhduar pastaj me të gjitha proceset dhe projektet e mëdha dhe këtë ta bëjë vetëm është totalisht e pamundur. Ka komponent për çdo zhvillim dhe përsa i përket energjisë patjetër është qeveria shqiptare, por ama janë partnerët tanë dhe jo për ti kthyer borxhin për të gjitha fjalët e mira që Dirk tha dhe më besoni që e ka shumë të vështirë që të thotë fjalë të mira, zakonisht është kritik, por dua të them që roli i Sekretariatit të Energjisë ka qenë i jashtëzakonshëm. Kemi pasur një bashkëpunim me të vërtetë konstruktiv, pasi mos kujtoni që është gjithmonë kaq rozë situata mes nesh. Ne përplasemi, por përplasemi në debate profesionale të cilat kanë një produkt që ju po e shikoni sot. Një produkt i cili me të vërtetë ka një vlerë të jashtëzakonshme për vendin tonë në të ardhmen.
Sot Shqipëria për shkak të të gjithë bashkëpunimit që ne kemi pasur me Sekretariatin dhe Dirk personalisht, por unë dua të falënderoj edhe Arturin, pra drejtuesin e Sekretariatit për të gjithë përqasjen pozitive që ai ka pasur ndaj Shqipërisë, pasi kjo është shumë e rëndësishme, por me gjithë kontributin e tyre ne kemi arritur sot rezultate të cilat janë të dukshme të prekshme, janë zhvillime rregullatore përsa i përket përafrimit të kuadrit tonë rregullator dhe legjislativ me atë të Bashkimit Europian.
Nga ana tjetër, komponenti shumë i rëndësishëm është ai i sektorit privat. Të gjithë investitorët, investitorët që me të vërtetë, unë mbaj mend në fillimet e mia tashmë para më shumë se 5 vjetësh ishin disi skeptikë për çfarë do të mund të bënin në fushën energjetike. Disa më të guximshëm padyshim duke u kthyer në shembuj të mirë për tu ndjekur, por është dashur një punë shumë e madhe për të përafruar dhe për të koreluar interesat e qeverisë shqiptare me interesat e sektorit privat të vendosura këto mbi një kuadër rregullator të përafruar plotësisht me Bashkimin Europian.
Ti kthehem situatës sotme. Sot tek mblidhemi këtu padyshim siç thashë kemi arritje konkrete për të diskutuar me njëri-tjetrin, pavarësisht se vijmë nga një periudhë e vështirë Shqipëria kaloi tërmetin, më pas pandeminë ashtu si gjithë bota, kriza energjetike, fluklacionet e tmerrshme të tregut përsa i përkiste çmimeve, mungesa e produktit, pra atë mungesë të produktit energjetik gjatë vitit 2022, por të gjitha këto u kapërcyen në mënyrën më të mirë nga qeveria shqiptare dhe u kapërcyen jo duke e futur në një stanjacion sektorin. U kapërcyen me një përpjekje shumë të madhe për të ruajtur abonentët familjarë që janë gati 1 milionë në Republikën e Shqipërisë, nga ekspozimi i çmimeve të çmendura të tregut dhe nga ana tjetër duke mos ndërprerë punën për të gjitha projektet e të ardhmes dhe për gjithçka ne kishim nisur pavarësisht të gjitha kushteve të vështira me të cilët u përballëm. Kjo padyshim është diçka për t’u vlerësuar dhe unë e bëj në publik shpesh këtë dhe nganjëherë edhe më pyesin. Unë falënderoj të gjithë njerëzit që punojnë me mua, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë pasi bëjnë një punë kolosale dhe janë ata katalizatorët për këtë bashkëpunim të shkëlqyer midis partnerëve ndërkombëtarë, midis partnerëve financiarë që ne i kemi këtu dhe gjej rastin që edhe ata ti falënderoj dhe padyshim midis qeverisë dhe sektorit publik.
Puna që është bërë në Ministri të Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë vitit 2022-2023 në kushte të vështira siç thashë për shkak të gjithë situatës së krijuar nga kriza e agresionit rus në Ukrainë dhe nga ana tjetër nga dëshira dhe angazhimi i qeverisë shqiptare, angazhimi i kryeministrit Rama për të ruajtur të gjithë abonentët familjarë nga ekspozimi i çmimit ka qenë vetëm puna e djemve dhe vajzave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe të ndërmarrjeve tona të varësisë që ka çuar përpara projekte të cilat mund të afektoheshin nga kjo krizë.