Shqiptarët kanë paguar në formën e taksave dhe tatimeve një shumë prej 643.4 miliardë lekë vitin e kaluar, ekuivalente me 6.1 miliardë euro. Një nivel rekord të ardhurash buxhetore, që kundrejt vitit 2022 rezultojnë 70.7 miliardë lekë më shumë apo 12.3 për qind. Shifrat janë publikuar nga Ministria e Financave.
Të dhënat tregojnë se individët janë ata që kanë dhënë ndikimin kryesor në rritjen e të ardhurave në buxhet, përmes pagesave të sigurimeve dhe të tatimit mbi të ardhurat personale. Nga këto dy zëra u mblodhën rreth 34 miliardë lekë, ose gati gjysma e rritjes së të ardhurave.
Të Ardhurat
Të ardhurat totale, për 12-mujorin e vitit 2023, u realizuan në masën 643.4 miliardë Lekë ose 100.1% e planit fillestar të buxhetit. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me +70.6 miliardë lekë ose +12.3% më shumë.
Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 561.7 miliardë lekë, 52.3 miliardë ose 10.3% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, si dhe 1.9 miliardë ose 0.3% më pak se plani i rishikuar me rritje për vitin 2023.
Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 216.8 miliardë lekë, 6.3 miliardë lekë ose 2.8% më pak se 12 mujori 2022, si dhe 6.9 miliardë lekë ose 3.1% më pak se plani i të ardhurave doganore për 12 mujorin e vitit 2023.
Të ardhurat nga TVSH në import për 12 mujorin rezultojnë 146.4 miliardë lekë, 10.5 miliardë lekë ose 6.7% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, si dhe 6.3 miliardë ose 4.1% më pak se plani për 12 mujorin 2023.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 58.4 miliardë lekë, 4.8 miliardë lekë ose 9.1% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022, si dhe 607 milionë lekë ose 1% më pak se plani i akcizës për 12 mujorin 2023.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2.9 miliardë lekë, 1.3 miliardë ose 31.1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe realizim në masën 91.4% kundrejt planit për 12-mujorin 2023.
Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 9.1 miliardë lekë, 687 milionë lekë ose 8.1% më shumë se 12 mujori 2022, si dhe realizim në masën 103.8% kundrejt planit.
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 12 mujorin 2023 u realizuan në masën 344.9 miliardë lekë, 58.6 miliardë ose 20.5% më shumë se 12 mujori i vitit të kaluar, si dhe 4.9 miliardë lekë, ose 1.4% më shumë se plani i 12 mujorit 2023.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 45.9 miliardë lekë, 11.4 miliardë ose 33.1% më shumë se 12 mujori 2022, si dhe 1.4 miliardë ose 2.9% më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 12 mujorin 2023. Rimbursimet për periudhën 12 mujore 2023 janë 22.6 miliardë lekë, 133 milionë lekë ose 0.6% më shumë se 12 mujori 2022.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 64.6 miliardë lekë, 16.9 miliardë lekë, ose 35.4% më shumë se 12 mujori 2022, si dhe 5.6 miliardë lekë ose 9.5% më shumë se plani i 12 mujorit të vitit 2023 për Tatimin mbi Fitimin.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 57.9 miliardë lekë, 12.9 miliardë lekë ose 28.7% më shumë se 12 mujori 2022, si dhe 1.9 miliardë ose 3.4% më shumë se plani i 12 mujorit 2023.
Taksat nacionale, për periudhën 12 mujore 2023 u realizuan në masën 37.2 miliardë lekë, 3.3 miliardë lekë ose 8.2% më pak se 12 mujori 2022, si dhe 504 milionë lekë ose 1.3% më pak se plani për 12 mujorin 2023.
Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 139.3 miliardë lekë, 20.8 miliardë lekë ose 17.5% më shumë se 12 mujori 2022, si dhe realizim 99.5 % të planit për 12 mujorin 2023.
Shpenzimet
Shpenzimet e përgjithshme publike për vitin 2023, arritën në rreth 674.7 miliardë lekë me një realizim në masën 96.6 për qind të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 95.6 për qind të planit vjetor të ndryshuar përmes Aktit Normativ nr.6, datë 14.12.2023 (AN nr.6). Krahasuar me vitin 2022 shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë 3.6 për qind më të larta ose 23.7 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet korente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën:
– 100.1 për qind dhe 95.9 për qind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe
– 99.7 për qind dhe 88 për qind të planit vjetor sipas AN nr. 6.
Shpenzimet korente për vitin 2023 rezultuan në rreth 547 miliardë lekë ndërsa krahasuar me vitin 2022 ky zë ka rezultuar 9.4 për qind më i lartë ose rreth 47 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet kapitale për vitin 2023 paraqesin një realizim në masën rreth 118.9 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2022, ky zë rezulton 6 për qind më i lartë ose rreth 6.8 miliardë lekë më shumë.
Grafik: Shpenzimet korente dhe kapitale Plan vs Fakt 12-Mujori 2023 (në milionë Lekë)
Niveli i deficitit për vitin 2023 rezultoi në masën 1.4% të PBB-së, krahasuar me 3.7% të PBB-së që ishte në vitin 2022.
Grafik: Të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti/suficiti – Plan vs Fakt 12 Mujori 2023 (në milionë Lekë)