Numri i mjeteve që qarkullojnë në rrugët tona është shtuar dhe pjesa dërrmuese e tyre janë autovetura. Kjo rezulton nga të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave mbi transportin rrugor. INSTAT raporton se gjatësia e rrjetit rrugor në shfrytëzim është 3.606* km, klasifikuar sipas kategorive të ndryshme, si autostradë, rrugë interurbane kryesore, rrugë interurbane dytësore, rrugë urbane dhe rrugë lokale. Rrugët interurbane dytësore zënë rreth 74,2 % të gjatësisë së rrjetit rrugor.
Në tremujorin e katërt 2023, numri gjithsej i mjeteve rrugore me status “aktiv” dhe “të çregjistruar përkohësisht” që qarkullojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë deri në Dhjetor 2023 rezulton 867.765 mjete. Në kategorinë e mjeteve rrugore sipas llojit, përqindjen më të madhe ndaj numrit gjithsej të mjeteve rrugore e zënë “Autoveturat” (80,6 %), “Automjetet për transport të përzier” (6,2 %) dhe “Motor” (5,5 %).
Në tremujorin e katërt 2023, numri më i lartë i mjeteve rrugore është regjistruar në qarkun e Tiranës, duke zënë 34,7 % të mjeteve rrugore gjithsej të regjistruara në vend, pasuar nga qarku i Durrësit me 13,4 % të mjeteve rrugore gjithsej. Qarqet me numrin më të vogël të mjeteve rrugore janë qarku i Gjirokastrës me 2,2 % dhe qarku i Kukësit me 2,3 % të mjeteve rrugore gjithsej.
Të dhënat e Instat tregojnë se në këtë periudhë janë regjistruar për herë të parë 21.900 mjete rrugore. Në kategorinë e mjeteve rrugore sipas llojit të regjistruar për herë të pare, përqindjen më të madhe ndaj numrit gjithsej të mjeteve rrugore e zënë “Autoveturat” (84,6 %) dhe “Motor” zënë (5,4 %).
Marka “Mercedez Benz” është marka me qarkullim më të lartë në vend në kategorinë e mjeteve rrugore me 18,0 %, e ndjekur nga marka “Volksëagen” me 15,8 % dhe “Daimler Chrysler” 8,8 %.