Samiti i klimës Cop28 ka hyrë zyrtarisht në orët shtesë, ndërsa bota po përpiqet të arrijë një konsensus mbi marrëdhëniet e saj të ardhshme me lëndët djegëse fosile.
Draftteksti i së hënës kishte fshirë një fjali që bënte thirrje për “përfundimin gradualisht” të karburanteve fosile, të mbështetur nga më shumë se 100 vende. Por rekomandimi për heqjen ose uljen e naftës, qymyrit dhe gazit është kundërshtuar fuqishëm nga vendet e pasura me naftë, përfshirë Arabinë Saudite dhe Rusinë.
Fshirja e frazës shkaktoi zhurmë të menjëhershme nga një numër i madh delegacionesh dhe aktivistësh.
Drafti u kritikua gjithashtu si shumë i dobët nga pjesëmarrës si Australia, Kanadaja, Kili, Bashkimi Europian, Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara, mes grupit prej 100 personash që kërkonin një angazhim më të fortë për të larguar botën nga qymyri, nafta dhe gazi.
Emetimet e gazeve serrë nga djegia e lëndëve djegëse fosile janë shkaku kryesor i ndryshimeve klimatike.
Ishte e paqartë nëse Kina, emetuesi kryesor i gazit serrë në botë, e mbështeti draftin e së hënës.
Brazili dëshiron gjithashtu një tekst më të fortë për heqjen e karburanteve fosile, por një tekst që e bën të qartë se vendet e pasura dhe të varfra duhet ta bëjnë këtë në afate të ndryshme kohore, tha ministrja e mjedisit, Marina Silva.
Përfaqësuesit e shteteve të vogla ishullore thanë se nuk do të miratonin një marrëveshje që ishte një “urdhër vdekjeje” për vendet e goditura më rëndë nga rritja e nivelit të detit.
Bota është ngrohur 1.2 gradë Celsius gjatë 150 viteve të fundit nga djegia e bollshme e karburanteve fosile.
Vendet vijnë në samitin e klimës nën një qëllim kryesor: kufizimin e temperaturës globale në 1.5C, ose “shumë nën” 2C, përtej të cilit shkencëtarët thonë se Toka përballet me pika kthese të pakthyeshme.
Planet aktuale e vendosin planetin në rrugën e duhur për ngrohjen me 3 gradë Celsius këtë shekull, një rritje katastrofike të temperaturës.
Presidenca e Cop28 nën presion për të hequr dorë nga përmendja e karburanteve fosile
Presidenti i Cop28 i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sultan al-Jaber ishte përballur me presion nga Arabia Saudite, udhëheqëse de fakto e grupit të prodhuesve të naftës OPEC, të cilit i përkasin Emiratet e Bashkuara Arabe, për të hequr dorë nga çdo përmendje e karburanteve fosile.
Në një letër të 6 dhjetorit, sekretari i përgjithshëm i OPEC-ut, Haitham Al Ghais, u kërkoi anëtarëve të refuzonin çdo marrëveshje të Cop28 që prekte karburantet fosile.
Arabia Saudite është kundërshtari më i fortë, por edhe anëtarët e tjerë të OPEC dhe OPEC +, duke përfshirë Iranin, Irakun dhe Rusinë, kanë rezistuar gjithashtu heqjes së karburanteve fosile në marrëveshje.
Marrëveshjet në samitet e OKB-së për klimën duhet të miratohen me konsensus. Më pas i takon vendeve individuale që të përmbushin marrëveshjen, përmes politikave dhe investimeve kombëtare.
Për vendet prodhuese të naftës, një marrëveshje globale në COP28 për të ‘hequr qafe’ karburantet fosile mund të sinjalizojë një vullnet politik nga vendet e tjera për të ulur përdorimin e tyre të produkteve fitimprurëse në të cilat mbështeten ekonomitë prodhuese të karburantit.
“Kuvajti punon sipas një politike të bazuar në ruajtjen e burimeve të pasurisë së naftës dhe shfrytëzimin dhe zhvillimin e tyre optimal,” tha ministri i Naftës Saad Al Barrak në Konferencën e 12-të Arabe të Energjisë në Doha të hënën.
Pavarësisht rritjes së shpejtë të energjisë së rinovueshme, lëndët djegëse fosile ende prodhojnë rreth 80 për qind të energjisë së botës./ The Independent