Harta e re për rishpërndarjen e gjykatave, përveçse nuk po ndikon në uljen e stokut të dosjeve, ka rritur edhe tarifat e shërbimit nga avokatët.
Për juristët, shkrirja e gjykatave të shkallës së parë në rrethe, ka shtuar kostot e transportit nga rritja e distancës të gjykatave.
Avokat Klodian Gjermeni tha për “Monitor” se reforma për hartën gjyqësore ka rritur tarifat e avokatëve 20 deri në 30%, pasi janë shtuar kostot e transportit të avokateve në rrethe.
“Duhet të marrim parasysh se një avokat që do të ndjekë një seance gjyqësore në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë dhe vjen nga qyteti i Sarandës apo Korçës këto kosto do t’ia ngarkojë qytetarit.
Përveç shkrirjes së gjykatave të apelit, rritja e tarifave është ndikuar edhe nga shkrirja e një sërë gjykatash në rrethe civile ose administrative.
Vlen të sjellim si shembull qytetarin e Konispolit ose Tropojës, i cili do të ndjekë një proces gjyqësor administrativ në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Lushnjë ose Tiranë.
Kjo rishpërndarje e gjykatave përveçse ka rritur tarifat e shërbimit ndaj avokatëve, në njëfarë mënyre kanë avantazhuar edhe korrupsionin aktiv ose pasiv”, thotë Gjermeni.
Edhe avokati Përparim Caca nga qyteti i Kavajës tha për Monitor se shkrirja e gjykatës së shkallës së parë në këtë qytet, e transferuar në Durrës ka detyruar juristët të rrisin tarifat e shërbimit.
“Sado që kemi sensin pozitiv të mos ngarkojmë qytetarët me tarifë shërbimi, sidomos kategorinë e pensionistëve është e pamundur të bëhet për të gjithë, pasi falimenton. Me largimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës dhe apelit në Tiranë, kostot janë shtuar”.
Ndërkohë pritet rritje e mëtejshme e tarifave të avokatëve sipas Klodian Gjermenit, si pasojë e miratimit të ligjit “Për Tatimin mbi të ardhurat” që do të tatojë profesionet e lira nga 15 % deri ne 23 % të xhiros së tyre vjetore të deklaruar. Ligji i ri nis zbatimin nga 1 janari 2024.
Strukturën e re për funksionimin e sistemit gjyqësor, nisi nga 1 Shkurti 2023, fillimisht me funksionimin e një gjykate të vetme të Apelit në Tiranë, pas shkrirjes që iu bë 6 gjykatave të Apeleve në rrethe.
Ndërsa nga 1 maji 2023 nisi riorganizimi i gjykatave të shkallës së parë, nga 22 u shkurtuan 10 dhe nga 1 Korriku 2023 u mbajtën vetëm dy Gjykata Administrative të Shkallës së Parë, në rang vendi, një në Tiranë dhe një në Lushnjë, duke u shkrirë gjykatat administrative të rretheve.
Vendimi është vlerësuar antikushtetues nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë dhe është kërkuar shfuqizimi në Gjykatën Kushtetuese.
Shqyrtimi i kërkesës tashmë ka nisur në Gjykatën Kushtetuese./Monitor