Nga Oralda Lahe
“Nuk e harroj ditën kur kam votuar për herë të parë. Ishin zgjedhjet lokale të vitit 2003. Babai erdhi në shtëpi të shtunën në mbrëmje, një ditë para votimit, dhe na mblodhi të gjithë anëtarët votues të familjes. Gjyshja, nëna, halla e vogël, dy vëllezërit më të mëdhenj dhe unë. “Nesër do të shkojmë të gjithë bashkë në qendrën e votimit dhe do të votojmë numrin 2 për kandidatin dhe 5 për partinë se kam dhënë fjalën.” Asnjë nuk pyeti, asnjë nuk kundërshtoi, asnjë nuk e diskutoi atë urdhër. Të nesërmen nga mesdita shkuam të gjithë tek qendra e votimit. Babai hyri i pari dhe pasi votoi vetë doli e na mori një nga një. Na shoqëroi edhe në dhomën e fshehtë ku na tregonte me gisht ku të votonim. E vetmja gjë që bëra vetë atë ditë ishte hedhja e firmës, palosja e fletëve të votimit dhe hedhja në kutitë e votimit. Nuk e kam idenë se cili ishte kandidati dhe subjekti që ‘votova’. Në kujtesën time kanë mbetur vetëm dy numra 2 dhe 5. Ishte hera e parë dhe e fundit që dikush paracaktonte zgjidhjen time. Për nënën time ishte gjëja më normale që bënte (dhe ndoshta bën) prej vitesh.”
Kështu tregon Fatmira H. nga një zonë e thellë në veri të vendit. Sot Fatmira jeton në kryeqytet dhe rrëfen se për shkak të shijes së keqe të kësaj historie zgjodhi që në zgjedhjet e 2005 dhe 2007 të mos votonte fare.
Fenomeni i ‘konsoliduar’ i zgjedhjeve nё Shqipёri
Sipas raporteve të prodhuara nga vëzhguesit lokalë dhe ndërkombëtarë në çdo palë zgjedhje në Shqipëri, votimi familjar është një nga fenomenet e ndeshura më shpesh.
Në zgjedhjet e fundit vendore të 14 majit 2023, Qëndresa Qytetare, një organizatë lokale që ka për mision të saj fuqizimin e rolit të qytetarit në shoqëri, me qëllim përmirësimin e qeverisjes, ka qenë e angazhuar ndër të tjera edhe me monitorimin e zgjedhjeve. Sipas drejtuesit të Qëndresës Qytetare, Rigels Xhemollari, ‘fenomeni i votimit familjar rezulton më i përhapuri, me plot 22 raste të evidentuara nga vëzhguesit tanë në 14 bashki të vendit. Bashkitë në të cilat është evidentuar votimi familjar kanë qenë Rrogozhina, Kukësi, Shkodra, Lezha dhe Tirana, por kryesisht në qendrat e votimit në periferitë e këtyre bashkive”.
Xhemollari shprehet se rastet të hasura më shpesh dhe të raportuara nga vëzhguesit e QQ në zgjedhjet e fundit kanë qenë ‘votimi i komplet familjes, sipas diktimit dhe shoqërimit të kryefamiljarit’ si dhe raste kur ‘anëtari burrë i familjes hyn në të njëjtën kuti votimi me gruan, ose prindërit e tij të moshuar”.
Në prononcimin e saj një ditë pas zgjedhjeve të 14 majit 2023, Ambasadorja Audrey Glover, shefe e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të ODIHR, vuri në dukje disa nga parregullsitë e vërejtura gjatë procesit të votimit. “Vumë re votimin familjar në disa qendra votimi”, u shpreh shefja e Misionit Glover.
Megjithatë, votimi familjar nuk fillon dhe nuk mbaron vetëm me atë që është e dukshme dhe e evidentueshme nga vëzhguesit në ditën e zgjedhjeve në qendrat e votimit. Presioni për të votuar një kandidat apo parti të caktuar ndodh në familje, përpara se të hidhet vota. Nga njё studim i IDRA dhe UN Women mbi votimin familjar, tregohet se edhe pse shumica e votuesve deklarojnë se u ndjenë të lirë kur morën vendimin për të votuar, vetëm 95% e të intervistuarve deklaruan se u ndjenë “plotësisht të lirë”. Sipas të pyeturve ‘mbi gratë ushtrohet presion në mënyra të ndryshme nga anëtarët meshkuj të familjes në rastet kur gratë/vajzat kanë opinion politik të ndryshëm nga burri’.
Votimi familjar i ka rrënjët në mentalitetin patriarkal
Votimi familjar nuk është një fenomen thjesht shqiptar. Rrjeti Ndërkombëtar i Informacionit për Gratë në Politikë (2009), në raportin ‘Përgjigje e Konsoliduar për Parandalimin e Votimit Familjar’ liston rastet kur mund të konsiderohet votim familjar, ku përfshihen: (a) kur një anëtar mashkull i familjes shoqëron një ose më shumë të afërme femra në dhomat e votimit; (b) kur grupe familjare votojnë haptazi bashkërisht; (c) kur një anëtar mashkull i familjes tërheq fletë votimi në emër të anëtarëve të familjes dhe i shënon ato ashtu siç dëshiron.
Sipas Këshillit të Evropës, ‘votimi familjar i ka rrënjët në mentalitete dhe praktika që u mohojnë grave të drejta të barabarta dhe të plota qytetare me burrat, si dhe favorizohet nga zyrtarë zgjedhorë që nuk pranojnë të zbatojnë plotësisht ligjet elektorale.
Për drejtuesin e Qëndresës Qytetare, Xhemollari “fenomeni i votimit familjar, përveç se shkel të drejtën bazë themelore të votës, ndikon në deformimin e përfaqësimit të drejtpërdrejtë, cenon integritetin e procesit zgjedhor, por më së shumti stimulon fenomenin e shitblerjes së votës, ku sipas analizave tona, rezulton që vota blihet familjarisht nëpërmjet kryefamiljarit dhe ai është përgjegjës për ta çuar deri në fund aktin e shitjes së saj, duke nëpërkëmbur të drejtat e anëtarëve të tjerë të familjes”.
“Isha studente në Shkodër. Babi më dërgoi haber që të shkoja në shtëpi për votime. Nuk pranova me justifikimin se kisha provime”, rrëfen Fatmira H..
Duke qeshur, Mira, siç e thërrasin të afërmit, tregon se një nga betimet që ka shkëmbyer me bashkëshortin “deri sa vdekja të na ndajë” është edhe mosndërhyrja reciproke në të drejtën për të bërë zgjedhjen personale në kutinë e votimit.
“Tingëllon vërtetë qesharake. Por, e kam përjetuar vërtetë keq detyrimin nga babai për të votuar për kandidatin dhe subjektin politik të cilëve ai iu kishte premtuar votën e të gjithë familjarëve. Nga 2009-ta e deri tani nuk kam abstenuar në asnjë palë zgjedhje dhe kam votuar ashtu siç e kam ndjerë. Jo gjithmonë kam bërë zgjedhjen e duhur, por fundja ka qenë zgjedhja ime”, shprehet mësuese Mira.
Mbi një shekull nga njohja e drejtës së votës për gratë, kërkohet garanci institucionale
E drejta e grave për të votuar dhe për t’u votuar është një nga të drejtat themelore të arritura me shumë mund dhe përpjekje nga shoqëritë në mbarë botën. Në fund të shekullit të 19-të në Finlandë, Islandë, Suedi dhe në disa shtete perëndimore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gratë që gëzonin status të lartë shoqëror fituan të drejtën e votës.
Gratë dhe vajzat në Shqipëri e fituan të drejtën e votës në të njëjtin vit me gratë dhe vajzat në Amerikë. Rreth 110 vite më parë, pikërisht në vitin 1920 qeveria shqiptare e asaj kohe mori vendimin për njohjen e të drejtës së grave për të votuar pikërisht duke marrë shkak nga vendimi po atë vit në Shtetet e Bashkuara që i njihte grave të drejtën për të votuar.
Edhe pse një e drejtë e legjitimuar tashmë, rastet e konstatuara edhe së fundi kur gratë detyrohen ta hedhin votën aty ku ‘do dhe urdhëron burri’ ngrenë alarmin për marrjen e masave për moslejimin e këtij cenimi. Tashmë pjesëmarrja e gruas në votime nuk duhet të konsiderohet thjeshtë si statistikë, por si një e drejtë e garantuar dhe që ndikon në qeverisjen e mirë.
“Ky fenomen duhet të marrë një vëmendje më të lartë nga aktorët politikë, por edhe nga KQZ, e cila duhet të përmirësojë qasjen e saj administrative, shprehet Xhemollari. Mendoj që një administratë e pavarur politikisht për administrimin e zgjedhjeve do të ishte relevante për të parandaluar fenomenin. Nga ana tjetër ka nevojë për një ndërgjegjësim të lartë ndaj fuqisë së votës në zonat e thella të Shqipërisë.”