Ministri i Financave Ervin Mete ka deklaruar gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me FMN-në se Shqipëria ka dalë nga lista gri e pastrimit të parave, në të cilën kishte hyrë në shkurt të vitit 2020.
“Është marrë vendimi nga FATF, Task Forca për Veprimin Financiar, për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri, ashtu i njohur ndryshe si monitorim i shtuar.
Vendimi është marrë sot nga Asambleja Plenare e FATF dhe vjen si pasojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve. Ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, ashtu edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit.
Është një lajm inkurajues dhe motivues për ne për të vazhduar më tej forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për të përmbushur në vazhdim angazhimet e ndërmarra me partnerët ndërkombëtarë”, tha ministri.
“Në këtë frymë pozitive, kanë qënë edhe diskutimet me misionin e FMN-së gjatë dy javëve të fundit, që misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka qënë prezent në kuadër të Artikullit IV.
Diskutimet janë fokusuar në ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe financave publike, sfidat për periudhën në vazhdim dhe rekomandimet për përmirësime të mëtejshme. Është për t’u evidentuar se për herë të parë, për shkak se nuk janë vlerësuar risqe domethënëse nga ana e misionit të FMN-së, qëndrimet e shprehura edhe në deklaratën përmbyllëse, do të miratohen përmes një procedure konsensuale, pa kaluar më parë në Bordin e FMN-së.
Ekonomia e vendit ka treguar një qëndrueshmëri të kënaqshme përballë një seri goditjesh, duke patur një nga rikuperimet më të shpejta në nivel rajonal.
Fondamentet makroekonomike kanë rezultuar të qëndrueshme gjatë kësaj periudhe sfidash, sfida të cilat kanë shërbyer si sprovë ndaj aftësisë rezistuese dhe rikuperuese të ekonomisë. Kjo qëndrueshmëri është inkurajuese edhe për perspektivën afatmesme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare, si edhe për shëndetshmërinë e financave publike në vend.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2023, rritja ekonomike ishte 3%, me përshpejtim nga tremujori i parë në të dytin, ku konsumi dhe investimet patën rritje përkatësisht me 4.2% dhe 9.2% krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2022.
Sektorët që kanë udhëhequr rritjen ekonomike kanë qënë turizmi dhe ndërtimi, mbështetur nga rritja e kërkesës së brendshme. Në gjysmën e parë të vitit 2023, punësimi vijoi të forcohet, duke u rritur me 2.7% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që, shkalla e papunësisë vijoi tendencën rënëse të viteve të fundit, duke zbritur në 10.7%, një nga shifrat më të ulëta historike.
Të dhënat paraprake indirekte për tremujorin e tretë tregojnë për një ritëm më të shpejtë të rritjes ekonomike. Treguesit e ndjesisë ekonomike kanë arritur nivele të larta historike, pasiguritë janë zvogëluar, si dhe tregues të tjerë të konsumit dhe investimeve sugjerojnë përshpejtim të rritjes ekonomike.
Nisur nga kjo ecuri e mirë, ne kemi rishikuar për sipër projeksionet tona për rritjen reale të këtij viti, në 3.7%, nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar.
Sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin tonë bazë për vitin e ardhshëm parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8%, ndërsa parashikojmë një rritje mesatare vjetore prej rreth 4% për periudhën afatmesme në vijim. Ne parashikojmë se një rritje e tillë në afatmesëm do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat, ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Gjithashtu, parashikojmë se edhe kërkesa e huaj neto do të japë një kontribut pozitiv, kryesisht në sajë të pritshmërive të mira për shërbimet, veçanërisht turizmin.
Ekuilibri i jashtëm në terma të llogarisë korrente gjithashtu është përmirësuar, falë turizmit dhe nivelit të lartë të investimeve të huaja direkte (IHD). Për gjysmën e parë të vitit, investimet e huaja arritën në rreth 700 milionë euro ose 7.5% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022.
Gjithashtu, të dhënat e fundit për numrin e vizitorëve të huaj për janar-shtator 2023 janë shumë pozitive, me rreth 8.3 milionë vizitorë të huaj, 29% më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.
Sektori financiar, siç do ta shpjegojë më gjerësisht Guvernatori, mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid për të mbështetur kreditimin dhe rritjen e mëtejshme ekonomike. Sa i takon inflacionit, gjatë këtij viti inflacioni mujor ka shënuar rënie të vazhdueshme, duke arritur së fundmi në 4.1% në shtator të këtij viti.
Kemi patur një performancë pozitive të të ardhurave, gjë që ka sjellë një rishikim në rritje të projeksionit të të ardhurave në fund të vitit, e reflektuar kjo edhe në Aktin Normativ të miratuar javën e kaluar në Këshillin e Ministrave. Përmes këtij akti synohet mbështetja dhe optimizimi i projekteve me ecuri pozitive, në funksion të rritjes së mëtejshme ekonomike.
Sot, në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Ministrave, do të miratojmë projektbuxhetin 2024, i cili vijon mbështetjen për reformën e pagave, në arsim, shëndetësi, forcat e rendit, të mbrojtjes dhe në sektorë të tjerë. Gjithashtu, projektbuxheti i vitit të ardhshëm mban në nivelin mbi 5% të PBB-së financimin e investimeve publike, jep mbështetje për zhvillimin e turizmit, si edhe vijon mbështetjen për fermerët dhe shtresat në nevojë.
Mbetemi të angazhuar për të vijuar me konsolidimin fiskal, me synim uljen e mëtejshme të borxhit publik, duke respektuar një balancë primare pozitive, të përcaktuar edhe në ligj.
Kemi diskutuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar mbi rishikimin e Strategjisë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave, për një strategji sa më koherente, që merr në konsideratë zhvillimet dhe treguesit e fundit makrofiskalë dhe që fokusohet kryesisht në mirëadministrimin fiskal. Sa i përket administrimit më të mirë fiskal do të ketë edhe asistencë teknike të dedikuar nga ana e FMN.
Hapja e negociatave me Bashkimin Evropian dhe përparimi në takimet bilaterale është një shtysë e mëtejshme për konsolidim institucional dhe avancim të reformave edhe në kuadër të procesin të integrimit në BE dhe ne mbetemi shumë të angazhuar në këtë drejtim” përfundoi ministri.