Ndërmarrjet shqiptare po përdorin gjithmonë e më shumë inovacionin në aktivitetin e tyre të përditshëm. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se për periudhën referuese 2022–2024, rezulton se 44.3 % e ndërmarrjeve me 10 ose më shumë të punësuar kanë ndërmarrë aktivitete inovacioni.
Në këtë kategori përfshihen ndërmarrjet që kanë prezantuar inovacione në produkte ose procese biznesi, si edhe ato që kanë pasur aktivitete inovative të papërfunduara ose të braktisura gjatë periudhës së vrojtuar.
Aktiviteti i inovacionit është më i lartë në sektorin e shërbimeve, ku 46,7 % e ndërmarrjeve kanë raportuar aktivitete inovative. Ndërkohë, në sektorin e industrisë, kjo përqindje rezulton 41,6 %. Krahasuar me vrojtimin e mëparshëm për periudhën 2020–2022, niveli i aktivitetit të inovacionit ka shënuar rritje, nga 42.9% në 44.3 %.
Sektori i Shërbimeve
Aktivitetet e Informacionit dhe Komunikacionit rezultojnë me nivelin më të lartë të inovacionit, ku 67.9% e ndërmarrjeve janë aktive në inovacion. Ndërkohë që ndërmarrjet në aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit kanë rezultuar aktive në inovacion me 55.1 %.
Sektori i Industrisë
Ndërmarrjet në aktivitetin e energjisë elektrike, furnizimit me gaz, avull dhe ajër të kondicionuar kanë rezultuar aktive në inovacion me 45%. Në Industrinë Përpunuese, 43.3 % e ndërmarrjeve kanë rezultuar aktive në inovacion. Sipas madhësisë së ndërmarrjeve. Aktiviteti i inovacionit rezultoi më i pranishëm në grupin e ndërmarrjeve të mëdha, me mbi 250 të punësuar, ku 66.4 % e tyre kanë zhvilluar aktivitete inovative. Ndërmarrjet e mesme, me 50–249 të punësuar, kanë rezultuar aktive në inovacion me 54.3%.

Rezultatet e vrojtimit tregojnë se rritja e aktiviteteve inovative ka ndikuar pozitivisht në rritjen e të ardhurave nga shitja (shitjet neto) dhe në zgjerimin e punësimit në ndërmarrje. Shitjet neto të realizuara nga ndërmarrjet aktive në inovacion janë rritur me 4.1 pikë përqindjeje. Në vitin 2024, këto shitje përbënin 62.1% të totalit të shitjeve neto të ndërmarrjeve të vrojtuara.
Numri i të punësuarve në ndërmarrjet aktive në inovacion është rritur me 4.3 pikë përqindjeje. Në vitin 2024, të punësuarit në këto ndërmarrje përfaqësonin 57.8% të totalit të të punësuarve në ndërmarrjet e vrojtuara
32.1 e ndërmarrjeve aktive në inovacion bashkëpunuan me ndërmarrje të tjera, organizata shkencore dhe partnerë të tjerë për realizimin e aktiviteteve inovative, nga 30% që ishte kjo përqindje në periudhën e mëparshme.
30.1 % e ndërmarrjeve investuan në blerjen e makinerive, pajisjeve ose mjeteve programuese të bazuara në teknologji të re, të papërdorura më parë nga ndërmarrja, nga 27,9 % që ishte kjo përqindje në periudhën e mëparshme. 5.1 % e ndërmarrjeve aktive në inovacion përfituan nga mbështetja financiare publike, nga 4.3 % që rezultoi në vrojtimin e mëparshëm.

1.96 % e ndërmarrjeve që nuk kryen inovacion përfituan mbështetje financiare publike, kundrejt 1.8 % në vrojtimin e mëparshëm. 7.1 % e ndërmarrjeve aktive në inovacion përdorën stimuj ose lehtësira fiskale për kompensimin e tatimeve/taksave lidhur me kërkim-zhvillimin dhe aktivitete të tjera inovative, nga 5.9 % që ishte kjo përqindje në vrojtimin e mëparshëm. Sipas INSTAT-it, 18.4 % e ndërmarrjeve aktive në inovacion zhvilluan aktivitete kërkim-zhvillimi, duke shënuar rritje krahasuar me 13.2 % në vrojtimin e mëparshëm.








