Shqipëria ngeli edhe vitin e kaluar ekonomia më e nënkredituar në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të dhënat krahasuese nga Banka Botërore tregojnë se në fund të vitit të kaluar portofoli i kredisë në Shqipëri ishte sa 34% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Megjithëse kredia në vlerë absolute ka vazhduar të rritet në vitet e fundit, ajo duket se nuk ka mbajtur ritmet e rimëkëmbjes së shpejtë ekonomike në periudhën pas pandemisë. Për këtë arsye, raporti i PBB-së ka pësuar rënie për të dytin vit radhazi në 2022, në 34%, nga 36.6% që kishte qenë një vit më parë.
Ekonomia me kreditimin më të lartë në rajon është Maqedonia e Veriut, me një portofol sa 55.7% e PBB-së, e ndjekur nga Kosova, me 52.4%, Mali i Zi, me 48.4%, Bosnje-Hercegovina, me 48.1% dhe Serbia, me 40.4% e PBB-së.
Shqipëria është gjithashtu ndër vendet me shkallën më të ulët të kreditimit në Europë, duke lënë pas vetëm një grup vendesh të Europës Lindore, si Rumania, Moldavia, Ukraina apo Bjellorusia.
Shqipëria ka pasur nivele të ulëta të kredisë në raport me PBB-në përgjatë gjithë periudhës postkomuniste. Një rritje e shpejtë e këtij raporti u regjistrua sidomos gjatë periudhës 2005-2011, që përkon me zgjerimin e sektorit bankar bankar në vend.
Në vitin 2011, raporti i kredisë ndaj PBB-së arriti nivelin më të lartë historik, prej 41.2%. Në vitet që vijuan, ky raport pësoi rënie të vazhdueshme, për shkak të krizës së kredive me probleme, që solli stanjacion të kreditimit për vite me radhë dhe më pas pastrimit të vazhdueshëm të portofoleve prej kredive të humbura.
Fshirja e kredive të humbura të sektorit bankar nisi në përmasa të konsiderueshme në vitin 2015, kur hyri në fuqi detyrimi i vendosur nga Banka e Shqipërisë për të nxjerrë jashtë bilanceve kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë periudhës janar 2015 – qershor 2023, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre rreth 80 miliardë lekë.
Rënia e raportit të kredisë ndaj PBB-së arriti pikun në vitin 2018, në nivelin 33%. Më pas, në periudhën 2019-2020 ku raport iu kthye rritjes, i nxitur nga gjallërimi i kreditimit, por edhe frenimi i fortë që pësoi ekonomia në vitin pandemik 2020. Pas vitit 2021, ky raport paraqitet përsëri në rënie, sepse huadhënia nuk ka mbajtur dot ritmet e rritjes ekonomike.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të gushtit portofoli i kredisë për ekonominë arriti në vlerën e 725 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 1.9%. Që prej gjysmës së dytë të vitit të kaluar, rritja e kreditimit është ngadalësuar ndjeshëm edhe në vlerë absolute, për shkak të rritjes së normave të interesit, por edhe efektit negativ statistikor që ka dhënë forcimi i Lekut në kursin e këmbimit./Monitor