Ndërtuesit kanë kundërshtuar rritjen e çmimeve të referencës për pronat. Në një konferencë për shtyp, Shoqata e Ndërtuesve kërkon shfuqizimin e vendimit. Ata argumentojnë se rritja e referencave do të rëndojë mbi qytetarët dhe biznesin në sektorin e ndërtimit.
“Për zonat ku është rritur çmimi i referencës ndryshimi sjell efekt të menjëhershëm te financat e subjekteve juridike, pronare të pasurive të paluajtshme, si dhe të çdo pronari të pasurisë së paluajtshme. Por njëkohësisht çmimet e referencës së parashikuar në këtë VKM gjejnë përdorim për aplikimin e efektit të taksës për kalimin e pronësisë të parashikuar në ligjin për të ardhurat. Duke i dhënë një tjetër goditje mbi këdo që do të kryejë transaksione me pasuritë e paluajtshme, duke përfshirë edhe ata që kanë rivlerësuar shtëpitë. Si pasojë çmimet e referencës do të sjellin rritje të menjëhershme të taksës së infrastrukturës, dhe taksës 3% të kontributit të strehimit social”, u shpreh Luigji Aleksi anëtar i shoqatës së Ndërtuesve.
Ndryshimet e vendimit të 2018-s të botuara në fund të muajit korrik 2023 që hynë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare rritën çmimet fiskale të apartamenteve për 32 zonat kadastrale të Tiranës nga 5 deri 76%. Rritja më e lartë ishte në zonën kadastrale 7/4, (Unaza e Re, Fabrika e Miellit, ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht) me 76% dhe në vlerë me 49,300 lekë për metër katror.
Ndërsa për 5 njësitë administrative, si: Dajt, Farkë, Kashar, Petrelë dhe Pezë çmimet fiskale u shtuan nga 29 deri 60% më shumë se 2018. Për 67 bashkitë e tjera të vendit çmimet e referencës së apartamenteve mbetën të pandryshuara.
Me rritjen e çmimeve të referencës individët do të paguajnë deri në 76% më shumë taksë për ndërtesën nëpërmjet faturave të ujit të pijshëm nga sa paguanin më parë. Rritja e çmimeve të referencës rrit automatikisht pagesat e taksës, pasi vlera e ndërtesës llogaritet mbi çmimet e referencës. Sipas Shoqatës së ndërtuesve qytetarët do të paguajnë edhe më tepër tatim mbi të ardhurat kur kryejnë transaksioni shitje-blerje. Në rast shitje të një pasurie të paluajtshme diferenca e vlerës së pronës nga blerja tatohet 15%. Vlera e shitjes së pasurisë së paluajtshme nuk mund të deklarohet nën çmimet e referencës së përcaktuara nga qeveria.
Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë ngriti shqetësimin e shtimit të kostove te sektori dhe individët nga VKM-ja me rritjen e çmimeve të referencës edhe në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama. Për këto arsye Shoqata e Ndërtuesve propozoi që hyrja në fuqi e vendimit me çmimet e rritura fiskale të jetë graduale ose aplikimi kundrejt zhvilluesve të lidhet vetëm me projekte që nisen dhe përfundojnë pas hyrjes në fuqi te vendimit.