Nga Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Barazia mes burrave dhe grave është një problem që shfaqet aktualisht në një pjesë të madhe të vendeve, veçanërisht atyre në zhvillim, si Shqipëria. Kjo pasi paraja dhe pushteti mbeten domen i burrave dhe në shoqëri patriarkale, kjo është edhe më e theksuar.
Por gjatë viteve të fundit, në vendin tonë situata është zbutur dhe gratë po fitojnë terren në shumë fusha. Në politikë dhe arsim, gratë në Shqipëri rezultojnë në pozicione më të forta se disa vite më parë, por hendeku mbetet i lartë përsa i përket sipërmarjes, tregut të punës dhe pagave.
Kjo edhe pse në rajon, Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të fondeve që jepen nga buxheti për barazinë gjinore dhe këto fonde kanë ardhur në rritje të vazhdueshme që prej vitit 2015. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në vitin 2015, fondet për buxhetimin gjinor vlerësoheshin në 4.8 miliardë lekë. Ato u rritën në mbi 7.8 miliardë lekë në periudhën 2016-2018 dhe më tej në mbi 15.1 miliardë lekë në fund të 2019-ës. Edhe në vitin 2020, sic duket nga grafiku, fondet nga buxheti i shtetit për buxhetimin gjinor mbetën në nivelin e 15.1 miliardë lekëve, për t’u dyfishuar deri në 38.2 miliardë lekë në fund të 2021-it. Ndërkohë që kanë kapërcyer në mbi 52.6 miliardë lekë në vitin 2023.
Edhe kundrejt shpenzimeve të përgjithshme buxhetore, fondet për buxhetimin e përgjigjshëm gjinor kanë pësuar rritje konstante. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në vitin 2015, ato përllogariteshin në 1% të totalit të shpenzimeve buxhetore, ndërsa janë rritur vazhdimisht vitet në vijim, për të kulmuar në 9% të totalit të shpenzimeve buxhetore në vitin 2023. Ky është një ndër nivelet më të lartë të fondeve dhënë për buxhetimin gjinor në rajon.
Edhe programet që janë financuar për zbutjen e pabarazive gjinore kanë ardhur në rritje të ndjeshme. Edhe me asistencën e ofruar nga UN Women, janë identifikuar dhe asistuar projekte, që realisht japin rezultatet të prekshme në buxhetimin gjinor. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, aktualisht janë duke u zbatuar 43 projekte nga 9 projekte që kanë qenë në vitin 2015. Këto projekte zbatohen në nivel qendror dhe vendor në sektor të ndryshëm, si shëndetësia, mbrojtja sociale, arsimi, drejtësia, biznesi dhe bujqësia.
“Për të promovuar më tej pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore, Qeveria ka ofruar për të subvencionuar shërbimet e kujdesit për fëmijët dhe transportin për gratë e punësuara në bizneset e mëdha”, shpjegojnë burime zyrtare në Ministrinë e Financave.
Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po targeton veçanërisht gratë fermerë, duke rritur numrin e përfituesve nga kjo kategori prej skemave kombëtare dhe të subvencionimit IPARD nga 14% që ishin në vitin 2020 në 25% të të gjithë përfituesve për 3 vitet e ardhshme.
Në gjashtë vitet e fundit, përmirësim ka pasur për gratë në aksesin e kredive. Masat financiare që synojnë zbutjen e pasojave të pandemisë kanë vënë në shënjestër edhe bizneset e mëdha ku gratë përbëjnë rreth 14% të pronarëve.
Gjithashtu, rreth 55% e përfituesve të transfertave të parave të papunësisë, si dhe nga “pagat e luftës” gjatë periudhës së karantinës në 2020 ishin gra.
A kanë rezultuar efektive fondet?
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar së fundmi institucionet shtetërore lidhur me zbatimin e fondeve të buxhetimit gjinor, që synojnë fuqizimin ekonomik të gruas dhe uljen e parabazive mes burrave dhe grave në vendin tonë. Në raportin përfundimtar të auditim performancës “Fuqizimi ekonomik i gruas në Shqipëri”, KLSH evidenton se janë marrë masa të rëndësishme për barazinë gjinore, sic është miratimi i strategjive kombëtare, por edhe rritja e financimeve të dhëna nga buxheti i shtetit. Por Kontrolli i Lartë i Shtetit kritikon bashkitë për zbatimin e dobët të politikave me bazë gjinore dhe rekomandon trainime për njësitë vendore në këtë drejtim.
“Një nga politikat e miratuara për të zbutur diferencat gjinore midis burrave dhe grave në vendin tonë është Buxhetimi i Përgjigjshëm Gjinor (BPGJ), i cili ka filluar të zbatohet pjesërisht në nivelin kombëtar, ndërsa rezulton ende në nivele të ulëta zbatueshmëria e tij në nivel vendor. Në nivel kombëtar, në vitin 2016, barazia gjinore u përfshi si një nga parimet themelore të Sistemit Buxhetor të Republikës së Shqipërisë, për të siguruar qasjen e barabartë të grave dhe burrave në Shqipëri ndaj të drejtave dhe mundësive dhe u bë pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (2015 – 2020). Ky parim u përfshi edhe në ligjin nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, theksohet në raport
Nga viti 2015 përqindja e Buxhetimi i Përgjigjshëm Gjinor në buxhetin total qendror është rritur nga 1% ne 9%. Në buxhetin e vitit 2019, problemet e pabarazisë gjinore u përfshinë në 37 programe buxhetore të 14 ministrive, duke prekur disa prej sektorëve më të rëndësishëm si: arsimi, shëndetësia, bujqësia etj. BPGJ ende nuk ka filluar të përfshihet në nivelin vendor në çdo njësi.
Në vitin 2020, Shqipëria publikoi për herë të parë Indeksin e Barazisë Gjinore, ku rezultati i Përgjigjshëm ishte 60.4 pikë (i cili është më i ulët se mesatarja e BE-së). Sigurimi i integritetit të grave dhe vajzave, nxitja e të drejtave të tyre social ekonomike, mbështetja e grupeve të pa favorizuara, si dhe angazhimi i burrave dhe djemve në të gjitha veprimtaritë që synojnë fuqizimin e grave dhe dhënien e mundësive të barabarta duhet të jenë në qendër të politikave gjinore dhe të ndikojnë në përmirësimin e barazisë gjinore, zhdukjen e varfërisë dhe progresin e vazhdueshëm të shoqërisë sonë.
KLSH ka lënë disa rekomandime për institucionet shtetërore. “Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim të dakordësojnë plane vjetore trajnimesh, në fuqizimin e kapaciteteve planifikuese, monitoruese dhe vlerësuese të institucioneve qendrore e vendore për programet buxhetore në përgjithësi dhe buxhetimin e përgjigjshëm gjinor. Këto brenda vitit 2023”, theksohet në raport.
Një tjetër rekomandim është që “Ministria e Financave dhe Ekonomisë të hartojë plan veprimi me objektiva e aktivitete konkrete për integrimin e buxhetimit të përgjigjshëm gjinor në Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, brenda vitit 2023”.
Si paraqitet situata burra/gra në terren?
Në Shqipëri, ndonëse janë bërë përparime në barazinë gjinore, sërish ka diferenca të mëdha, sidomos kur bëhet krahasimi për “pushtetin” ekonomik. Burrat kanë paga më të larta dhe janë në pozicione drejtuese, ndonëse numri i grave të diplomuara është ndjeshëm më i lartë.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në vitin 2021, rreth 19.5% e femrave mbi 25 vjeç në vend e kishin mbaruar arsimin e lartë, përkundrejt 16.9% të meshkujve. Vitet e fundit, rritja e peshës së vajzave që zgjedhin të ndjekin universitetin është më e lartë sesa ajo e meshkujve.
Numri i të diplomuarve në arsimin e lartë në vitin akademik 2020-21 ishte afërsisht 33 mijë studentë ndër të cilët vajzat përbënin 66.1 %. Përqindja që zënë të diplomuarat vajza në krahasim me një vit më parë është rritur me 0.8 pikë përqindje.
Por edhe pse janë më të arsimuara, burrat paguhen më shumë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se paga mesatare e meshkujve shënoi një rritje më të shpejtë në 2022, në raport me atë të femrave. Mesatarisht, një punonjës në vend u pagua me 61,898 bruto në muaj në 2022, me një rritje nominale prej 8.2%. Për meshkujt, paga mesatare ishte 63,773, me një rritje prej 9.2%. Për femrat, paga mesatare arriti në 59,813, ose 7.3% më shumë sesa një vit më parë.
Rritja më ritme më të larta e pagave të burrave në krahasim me ato të grave bëri që të thellohet sërish hendeku gjinor mes pagesave të të dy gjinive. Gratë u paguan 6.2% më pak sesa burrat në 2022, nga 4.2% që kishte zbritur diferenca në 2021.
Në të kundërt, është rritur pesha e grave në politikë, me një pjesë të konsiderueshme të kabinetit që përbëhet nga gra ministre. 70% e qeverisë aktuale përbëhet nga ministre gra, duke u renditur ndër 10 vendet e para në botë, ku femrat kanë pushtet të madh politik.
Me disbalanca të forta, mes situatës së grave në qytet dhe fshat, me një nivel të lartë të punës të papaguar, barazia gjinore është ende larg, megjithëse jo e pamundur.
Disclaimer:
Ky publikim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e „Fast Neës Economy by Aurora Sulce“ dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.