Pushtetin ekonomik në Shqipëri e kanë burrat, ndërkohë që gratë po fitojnë terren në politikë. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë për një zbutje të pabarazisë gjinore në Shqipëri vitet e fundit. Financimet për buxhetimin gjinor kanë ardhur në rritje që prej vititi 2015 dhe kanë arritur këtë vit në mbi 52 miliardë lekë ose sa 9% e totalit të shpenzimeve buxhetore. Kjo falë edhe asistencës së ofruar nga UN Ëomen për të identifikuar dhe asistuar projekte, që realisht japin rezultatet të prekshme në buxhetimin gjinor.
Por si paraqitet situata burra/gra në terren?
Të dhënat zyrtare tregojnë se “pushteti” ekonomik mbetet në duart e burrave. Ata kanë paga më të larta dhe janë në pozicione drejtuese, ndonëse numri i grave të diplomuara është ndjeshëm më i lartë se ai i meshkujve.
Sipas INSTAT, në vitin 2021, rreth 19.5% e femrave mbi 25 vjeç në vend e kishin mbaruar arsimin e lartë, përkundrejt 16.9% të meshkujve. Vitet e fundit, rritja e peshës së vajzave që zgjedhin të ndjekin universitetin është më e lartë sesa ajo e meshkujve.
Numri i të diplomuarve në arsimin e lartë në vitin akademik 2020-21 ishte afërsisht 33 mijë studentë ndër të cilët vajzat përbënin 66,1 %. Përqindja që zënë të diplomuarat vajza në krahasim me një vit më parë është rritur me 0,8 pikë përqindje.
Por edhe pse janë më të arsimuara, burrat paguhen më shumë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, paga mesatare mujore bruto e femrave në vitin 2021 ishte 55,760 lekë. Në krahasim me një vit më parë, pagat e grave janë 7.9% më të larta. Në vitin 2021, hendeku ishte 4.5%. Kjo do të thotë se paga mesatare e grave në vend është 4.5% më e ulët sesa ajo e burrave .
Në të kundërt, është rritur pesha e grave në politikë, me një pjesë të konsiderueshme të kabinetit që përbëhet nga gra ministre. 70% e qeverisë aktuale përbëhet nga ministre gra, duke u renditur ndër 10 vendet e para në botë, ku femrat kanë pushtet të madh politik.
Gjithsesi Kuvendin e dominojnë meshkujt, teksa ata përbëjnë rreth 65% të numrit të deputetëve gjithsej, sipas INSTAT, ndonëse pesha e deputeteve femra ka ardhur në rritje. Në vitin 2021, shkalla e pjesëmarrjes së gruas është 35,7%. Ndër tetë komisionet parlamentare, pjesëmarrja më e madhe e grave shihet në “Komisionin për punën, çështjet sociale dhe shëndetësinë” dhe “Komisionin për edukimin dhe mjetet e informimit publik”, përkatësisht 61,9% dhe 57,9%.