Tremujori i parë i këtij viti ka rezultuar i mbarë për buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të ardhurat arritën në 155.6 miliardë lekë, ekuivalent me rreth 1.4 miliardë euro, me një rritje prej 146 milionë euro kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Në muajin mars 2023, të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë regjistruar me një rritje prej rreth 5.9 miliardë lekësh.
Të dhënat tregojnë se ka rënie në zërin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, taksa që mblidhet mbi konsumin e mallrave. Konkretisht, nga TVSH-ja janë arkëtuar 15.4 miliardë lekë nga 16 miliardë të arkëtuara në mars 2022, me një rënie prej 600 milionë lekë. Për të dytin muaj radhazi të ardhurat nga ky zë janë në rënie, çka dëshmon për tkurrjen e konsumit, rrjedhojë e krizës së çmimeve që ka goditur buxhetet e konsumatorëve.
Nga Tatimi mbi Fitimin në mars të këtij viti janë arkëtuar 16.2 miliardë lekë nga 10.2 miliardë lekë të arkëtuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke regjistruar rritje prej 6 miliardë lekësh. Afro 4.2 miliardë lekë janë arkëtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale, me një rritje prej afro 700 milionë lekësh gjë që ka qenë e pritshme dhe vjen si rrjedhojë e ndryshimit të pagave. 3.8 miliardë lekë janë mbledhur nga akcizat, thuajse në të njëjtin nivel të muajit Mars 2022.
Nga taksat nacionale janë arkëtuar 2.9 miliardë lekë, zë që ka pësuar rënie me 500 milionë lekë krahasuar me marsin 2022. Ndërkohë rënie të ndjeshme vijojnë të kenë të ardhurat nga pushteti vendor, ndërsa kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kanë rezultuar me rritje në afro 1.5 miliardë lekë.
Nga ana tjetër shpenzimet e përgjithshme për muajin mars kanë qenë në rreth 52 miliardë lekë, duke shënuar rritje në masën 3.4 miliardë lekë, ku një ndikim të rëndësishëm kanë pasur shpenzimet kapitale. Vetë në muajin mars janë disbursuar 11.1 miliardë lekë.