Nga Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Euro ka zbritur në tregun tonë të këmbimit në 111 lekë, niveli më i ulët i shënuar që prej hedhjes së saj në treg për herë të parë si para fizike në janar të 2002-it.
Rënia e monedhës europiane ka nisur tashmë prej disa muajsh dhe ka qenë e pandalshme. Askush nuk e parashikoi se do të prekte këto minimume, ndërsa sot pjesa më e madhe e agjentëve në tregun e këmbimit dhe ekspertëve të tregjeve financiare parashikojnë një minimum të ri të euros, deri në 102 lekë në verë.
Por çfarë po ndodh me tregun e këmbimit?
Për të qenë tërësisht korrekt, ajo që po ndodh nuk është zhvlerësimi i euros, por forcimi i lekut. Kjo pasi euro po dobësohet vetëm në Shqipëri dhe në tregjet e tjera, ndërsa ka rënie edhe të monedhave të tjera. Por kjo nuk e bën më pak shqetësuese situatën.
Tregu i këmbimit ndodhet sot përballë një zhbalancimi të fortë. Oferta për euro është e lartë, ndërsa kërkesa shumë e dobët. Institucionet shtetërore, si Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave kanë shpjeguar se kjo sasi e madhe e euros në qarkullim ka ndodhur për shkak të rritjes së remitancave, (e vërtet, pasi në vitin 2022 shënuan 834 milionë euro), rritjes së investimeve të huaja (e vërtetë, pasi në vitin 2022 shënuan 1.3 miliardë euro) dhe rritjes së të ardhurave nga turizmi, një sektor që vitin e kaluar pati një ecuri shumë pozitive dhe po ashtu, ka nisur edhe 2023-i. Këta tre faktorë qëndrojnë, por janë të pamjaftueshëm për të shpjeguar ofertën e madhe të euros në treg.
Sot në Shqipëri po futen flukse valutore nga rrugë informale dhe gjithçka po ndodh në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Bëhet fjalë për euro që e ka burimin nga evazioni fiskal, korrupsioni dhe aktivitetet e paligjshme. Këto para gjithmonë kanë hyrë në tregun shqiptar, por kësaj radhe sasia është më e madhe dhe po shërben për të financuar fushatën.
Kjo është arsyeja që oferta në euro është rritur në përmasa të tilla, që e ka rrezuar këtë monedhë në nivele të frikshme. Kjo sasi valute nuk mund të matet, pasi është pjesa e padukshme. Ndërkohë që institucionet shtetërore nuk e pranojnë dot publikisht, pasi bëhet fjalë për ekonominë gri dhe të zezë.
Nga ana tjetër, kërkesa për euro është shumë e dobët. Tregtarët dhe importuesit po tërheqin më pak euro nga tregu për të blerë produkte, për shkak të tkurrjes së kërkesës. Një ecuri e pritshme, në kuadër të ngadalësimit të aktivitetit ekonomik në vend. Këtë vit parashikimet janë që ekonomia shqiptare të rritet nga 2% (parashikimi i fundit i FMN) në 2.4% (parashikimi i qeverisë).
Një tjetër faktor që ka ulur kërkesën për euro në treg është ndërprerja e importeve të energjisë. KESH nuk po blen energji jashtë për momentin, pasi situata energjetike në vend paraqitet e stabilizuar. Rrjedhimisht, më shumë euro e disponueshme.
A pritet që euro të ulet më tej?
Parashikimet janë për PO. Kjo duke pasur parasysh sezonin turistik në prag. Gjatë muajve qershor-gusht është fluksi i madh i turistëve të huaj dhe emigrantëve që kthehen në atdhe për pushime. Ata sjellin një sasi të madhe eurosh me vete dhe kjo do ta rrisë edhe më shumë sasinë e kësaj valute në treg, çka do të bëjë presion për uljen e mëtejshme të vlerës. Agjentët e tregut të këmbimit shpjegojnë se nëse sezoni turistik do ta gjejë euro në këto kuota që është aktualisht, atëherë pritet që niveli i saj të zbresë deri në 102 lekë.
Gjithsesi, këto mbeten parashikime, pasi askush nuk mund të parashikojë me saktësi ecurinë e tregut të këmbimit valutor.
A është rrezik real për biznesin dhe ekonominë rënia e euros?
Nëse rënia e euros vijon dhe është e qëndrueshme në afatgjatë, një pjesë e biznesit, që janë prodhuesit, eksportuesit dhe operatorët e sektorit të turizmit rrezikojnë realisht. Bëhet fjalë kryesisht për kompani të mëdha me mijëra të punësuar që kontratat dhe të ardhurat i kanë në euro, ndërsa shpenzimet në lek, çka do të thotë që janë drejtpërdrejtë të rrezikuar.
Për ta bërë më të kuptueshme sesa rrezikojnë këto biznese, po e ilustroj me një shembull. Bizneset fason i kanë lidhur kontratat e tyre për 2023-in në fundin e vitit 2022 ose në fillim të këtij viti, kur euro ka qenë rreth 120 lekë. Të gjitha planet e tyre të biznesit dhe investimeve janë bërë mbi euron në këtë nivel. Sot ajo ka rënë në 111 lekë ose 9 lekë më pak.
Kjo do të thotë se kur marrin të ardhurat në euro nga kontraktorët e tyre dhe i këmbejnë në agjencitë valutore ose sistem bankar, kanë 9 lek më pak për çdo euro që thyejnë. Këto para të munguara do të përkthehen në më pak fitim, më pak mundësi për rritje pagash dhe investime dhe në finale, më pak likuiditet.
Por ndikimi nuk përfundon këtu. Kjo euro e dobët vë në rrezik edhe kontratat e ardhshme. Kjo pasi për vitin e ardhshëm, kompania fason që sollëm si shembull do të kërkojë kompensimin e humbjes së euros nga kontraktori. Pra, do të kërkojë rritje çmimi në kontratë, gjë që mund të refuzohet nga pala tjetër, e cila mund të drejtohet për këtë porosi në Maqedoninë e Veriut, Tunizi, Afrikë etj.
Por nga ana tjetër, është edhe fakt që ky është risk i biznesit. Do të thotë që kompanitë fason dhe gjithë prodhuesit dhe eksportuesit e tjerë kanë fituar kur euro ka qenë 140 lekë dhe tani po humbasin. Pra, ky është risku i tregut, që për të qenë korrekt dhe të drejtë në analizë, duhet ta përmendim.
A mund të ndërhyjnë institucionet shtetërore për të frenuar rënien e euros?
Institucioni që mund të ndërhyjë në treg është Banka e Shqipërisë. Nëse gjykon se është e nevojshme, ajo mund të blejë valutë, duke tërhequr një pjesë së sasisë së tepërt. Por tashmë institucioni mbikëqyrës bankar e ka bërë të ditur qëndrimin e tij. Sipas BSH-së, situata në tregun e këmbimit është normale dhe nuk parashikohet të ketë ndërhyrje.
Nga ana tjetër, duhet të shpjegojmë se ndërhyrjet në treg, duke synuar frenimin e rënies së euros do të shkonin në kah të kundërt me politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, objektivi kryesor i së cilës është ruajtja e inflacionit. Ndërkohë që tregu i këmbimit është në regjim të lirë. Kjo do të thotë se Bankës Qendrore i intereson që leku të jetë i fortë, që të frenojë inflacionin e lartë dhe për këtë arsye, ka rritur disa herë në vitin e fundit normën bazë të interesit. Duke blerë euro në treg, bën të kundërtën. Pra, rrit presionin që leku të dobësohet. Në këto kushte, gjasat që të ndërhyjë janë të pakta.
Kjo do të thotë se pikiata e euros nuk dihet se kur do të ndalet!