“Antikiteti dhe aktualiteti i mendimit ekonomik të Greqisë së lashtë”. Është ky libri i profesor. Dr Aristotel Pano, që vjen i pasuruar me refleksione nga akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli. Një botim i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë në përkujtim dhe në nderim të profesorit të shquar Aristotel Pano, i ndarë nga jeta një vit më parë.
Në ceremoninë e promovimit të librit, ku i pranishëm ishte edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, profesor Angjeli vlerësoi punën dhe kontributin e profesor Pano në zhvillimin e mendimit ekonomik dhe shkencës në Shqipëri.
“Duke lexuar dorëshkrimet e përkthimeve të këtij profesori të palodhur, që sapo kishte kaluar të tetëdhjetat dhe duke dëgjuar tregimet pasionante të tij mbi autorët e antikitetit grek: Homeri, Hesiodi, Aristoteli, Platoni, Ksenofoni, Soloni, të krijohej me të vërtetë përshtypja se ai jetonte akoma në atë epokë. Ai ishte i bindur se mësimet e këtyre klasikëve të mendimit të lashtë ishin aktuale dhe në kohën e tij, dhe se bota pa to, nuk do të ishte ajo që njerëzimi jetonte sot”, u shpreh profesor Angjeli.
Ai shtoi se qëllimi i këtij punimi është, që duke u nisur nga veprat e para të autorëve të antikitetit grek dhe nga analizat e tyre në punimet e studiuesve më serioz të historisë të mendimit ekonomik, t’i jepet lexuesit një informacion sa më i plotë mbi lindjen dhe zhvillimin e mendimit ekonomik, por dhe aktualitetin e këtij “mendimi ekonomik antik” në kohën e sotme. “Lidhjen e rritjes ekonomike të një tregu me raportet sociale të shoqërisë e bëjnë pothuajse të gjithë filozofët e Greqisë së Lashtë, por njëkohësisht ata e lidhin madhësinë e një tregu edhe me luftën dhe sundimin e vendeve të tjera. Platoni ashtu dhe Aristoteli e shihnin rritjen apo ngushtimin e një tregu të lidhur ngushtë me luftërat midis qyteteve shtete të Greqisë”, deklaroi Angjeli.
Guvernatori Gent Sejko vlerësoi veprën e profesor Aristotel Pano, si një institucion i tërë krijimtarie, që ende vjen në duart e lexuesit me punë të reja, pavarësisht se autori është ndarë nga jeta një vit më parë.
“Ajo çka e bën këtë libër të rëndësishëm dhe pothuajse unik për vendin tonë është tema e tij, gati e padiskutuar në veprat vendase mbi mendimin dhe filozofinë ekonomike. Mendimi ekonomik antik duhet njohur, e diskutuar. Ai vijon të jetë shumë i vlefshëm edhe në ditët e sotme, si për studentët e kësaj shkence relativisht të re, ashtu edhe për ne politikbërësit.
Siç kuptojmë nga informacioni dhe refleksionet e kësaj vepre, periudha e lashtësisë greke shfaq disa prej ideve dhe teorive më të hershme ekonomike. Duke studiuar mendimin ekonomik të shoqërive të lashta, ne mund të përfitojmë një kuptim më të mirë të evolucionit të të menduarit ekonomik”, deklaroi Sejko.
Ashtu sic edhe libri thekson, në ditët tona shkenca ekonomike përfaqëson një nga shkencat më të rëndësishme të studimit të veprimtarisë së njeriut. E lindur shekuj më parë, ajo ka zgjeruar vazhdimisht objektin dhe përmbajtjen e saj, ka shtuar shumë metodat e studimit dhe si të gjitha shkencat e tjera ka pësuar degëzimet dhe specializimet përkatëse. Cdo i ri që vendos të merret me studimin e kësaj shkence, do të jetë kurioz për historinë e lindjes së emrit të saj, të hapave të parë të formulimit të koncepteve ekonomike dhe të veprave të autorëve kryesorë, ku ato u pasqyruan. Ky libër që Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka promovuar, iu mundëson të gjithë të rinjve që të zbulojnë një diapazon të tillë.