Sipas raportit të vlerësimit të hartuar nga “Komisioni i Europës” mbi sistemet gjyqësore europiane, për vitin 2020, në Shqipëri duhen mesatarisht 366 ditë për të përfunduar shkallën e parë të një gjykimi civil dhe 1,742 ditë për shkallën e dytë.
Pra e thënë ndryshe për shkallën e parë të një gjykimi civil duhet një vit, ndërkohë për shkallën e dytë duhet rreth 4.7 vite. Sipas këtyre shifrave, në total duhen afërsisht 6 vite për t’u dhënë një dënim përfundimtar për çështjet civile ose tregtare.
Le të shohim se sa është kohëzgjatja e një gjykimi penal në vendin tonë. Sipas të dhënave të raportit të “Komisionit Europian” në Shqipëri duhen 294 ditë që të përfundojë gjykimi i një vepre penale në shkallën e parë dhe duhen 998 ditë për shkallën e dytë, ose rreth 3 vite e gjysmë në total.
Nga ana tjetër, po të analizojmë sa zgjasin çështjet në gjykatën administrative përballemi me një kohë më të gjatë pritjeje. Për çështjet administrative kohëzgjatja e gjykimit në shkallën e parë është 199 ditë, ndërsa në shkallën e dytë edhe 4,485 ditë ose 12.2 vite. Pra, nisur nga këto shifra nuk mund të themi se aksesi në drejtësi nga qytetarët shqiptarë është përmbushur plotësisht pasi duhet rreth 13 vite për të marrë një dënim përfundimtar të paktën për çështjet administrative.
“Scan Intel” ka analizuar të dhënat e “Komisionit Europian” mbi kohëzgjatjen për një çështje civile në gjykatën e shkallës së parë sipas vendeve të Europës. Nga të dhënat shihet se Shqipëria renditet mes vendeve të para në Europë me më shumë ditë gjykimi për një çështje civile.
Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet pas Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë me 639 ditë dhe 472 ditë respektivisht. Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut kohëzgjatja e një gjykimi civil në shkallën e parë arrin mesatarisht deri në 294 ditë, ndërsa në Malin e Zi zgjat 280 ditë. Italia regjistron kohëzgjatjen më të lartë të gjykimit civil në shkallën e parë me 674 ditë dhe pasohet nga Kroacia me 655 ditë. Në vend të fundit me më pak ditë renditen Islanda dhe Lituania me 63 ditë dhe 117 ditë.
Pavarësisht kësaj, nisur nga koha e gjykimit, dukshëm mund të kuptojmë se gjykatat e shkallës së parë në Shqipëri janë më efikase se ato të shkallës së dytë. Në raport mes rreshtash thuhet se në Shqipëri, procedura e vettingut preku numrin e profesionistëve të sistemit të drejtësisë, sidomos në shkallën e dytë dhe të tretë ku shumë gjyqtarë u shkarkuan ose u tërhoqën vullnetarisht.
Kështu, gjyqtarët nuk kanë mundur të përballojnë fluksin e rasteve që janë paraqitur pranë gjykatave. Gjithashtu vlen të marrim parasysh edhe vitin të cilit i referohen shifrat. Sigurisht të dhënat janë të prekura edhe nga efektet e pandemisë, e cila ka detyruar shumë gjykata të shtyjnë procedurat./Tv Scan