Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë sërish për të frenuar rritjen e inflacionit, duke rritur normën bazë të interesit për lekun. Pas katër muaji qetësie, Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së vendosi të rrisë me 0.25% normën bazë, duke e cuar atë në 3%.
Guvernatori Gent Sejko ka shpjeguar në konferencën për shtyp që pasoi mbledhjen e Këshillit se inflacioni ka vijuar rënien gjatë muajve të fundit, por presionet inflacioniste ngelen të larta, duke iu referuar sidomos niveleve rekord të inflacionit bazë dhe sinjaleve nga tregu i punës.
“Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se presionet e larta inflacioniste që burojnë nga ambienti i brendshëm janë një faktor i rëndësishëm rreziku, së pari, për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe, më tej, për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.
Në këto rrethana, ai e vlerësoi të nevojshme reduktimin e stimulit monetar nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit. Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo masë është në përputhje me komunikimet tona të mëparshme dhe në konsistencë me lëvizjet e fundit të bankave kryesore qendrore”, deklaroi Sejko.
Guvernatori shtoi se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në tremujorin e katërt të vitit të shkuar dhe tremujorin e parë të vitit aktual. Rritja e kërkesës agregate është bazuar në zgjerimin e konsumit familjar, të investimeve private e publike, si dhe të eksporteve të mallrave të shërbimeve. Kjo dinamikë është mbështetur nga rritja e të ardhurave të disponueshme, nga përmirësimi i besimit të biznesit e të familjeve, nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, si dhe nga kushtet ende stimuluese financiare.
Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, zgjerimi i shpejtë dhe i qëndrueshëm i kërkesës agregate ka sjellë një shfrytëzim gjithnjë e më të lartë të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë shqiptare.
“Vlerësimet tona sugjerojnë se kërkesa agregate për mallra e shërbime ka shënuar një rritje më të shpejtë se potenciali prodhues i ekonomisë shqiptare. Ky konkluzion pasqyrohet në normat historikisht të larta të shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin privat, nga rritja e vazhdueshme e punësimit, nga rënia në nivele minimale historike e normës së papunësisë, si dhe nga rritja e shpejtë e pagave në sektorin privat.
Në veçanti, paga mesatare në sektorin privat u zgjerua me rreth 14% në terma vjetorë gjatë tremujorit të fundit të vitit të shkuar. Kjo rritje ka mbështetur zgjerimin e të ardhurave të disponueshme të familjeve shqiptare, ka ushqyer zgjerimin e konsumit familjar si dhe ka ndihmuar qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike.
Megjithatë, nga ana tjetër, ajo ka rritur kostot e prodhimit të biznesit dhe ka lehtësuar përcjelljen e rritjes së çmimeve nga tregjet e huaja në ekonominë vendase,” tha Guvernatori.
Sipas Këshillit Mbikëqyrës, inflacioni pritet të shënojë rënie graduale gjatë tremujorëve në vijim dhe të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit të ardhshëm. Po ashtu, rritja ekonomike pritet të qëndrojë në territor pozitiv, ndonëse ritmi i rritjes parashikohet të shënojë një ngadalësim të lehtë gjatë vitit aktual.