Numri i bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet pranë Tatimeve është rritur ndjeshëm, duke bërë që borxhi tatimor të kapërcejë nivelin e 1,3 miliardë euro. Një shifër shumë e lartë, që nëse do të mblidhej, do të ishte oksigjen për financat publike, veçanërisht në këtë periudhë kur institucionet financiare ndërkombëtare kërkojnë heqjen e përjashtimeve fiskale për shumë sektorë dhe kur pritet që brenda pak javëve në Parlament të miratohet taksimi i profesioneve të lira.
Por, situata bëhet më shqetësuese nga rritja me shpejtësi e borxhit tatimor në formën e kontributeve të papaguara ndaj sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duke sinjalizuar drama për ata që punojnë sot, se do të mbesin pa pension në pleqëri. E këtu nuk janë vetëm bizneset private, por edhe institucione shtetërore.
Në A2 Business me gazetaren Aurora Sulçe, deputetja e Partisë Socialiste, Pranvera Resulaj, shpjegoi pse është rritur borxhi tatimor.
“Gjëja e parë që të shkon në mendje është paaftësia paguese. Por, që të arrijmë në këtë përfundim duhet ndjekur struktura e borxhit dhe e detyrimeve të pashlyera. Vijmë nga një periudhë vështirësish, prandaj është e kuptueshme që edhe tatimpaguesi ka vështirësi për shlyerjen e detyrimeve. Borxhi tatimor mund të rritet edhe për shkak të një funksionimi të mirë të administratës tatimore, sepse do të thotë se po kontrollohet më mirë dhe po shtohet zbulueshmëria e pagesave. Mund të ketë edhe çështje të tjera që evidentojnë tatimpaguesit e parregullt dhe kjo rrit menjëherë stokun e borxhit”, tha deputetja socialiste.
Ndërsa Flobenc Dilaveri, ekspert për cështjet fiskale dhe ish zv/drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, u shpreh: “E rëndësishme është që të dimë strukturën e borxhit të ri, në raport me vitin 2020 dhe 2021. Fakti që vendin kryesor e zë TVSH-ja në strukturën e borxhit, tregon për problematikë të funksionimit të biznesit në tërësi, sepse është tregues i performancës së tyre dhe paaftësisë paguese që ato kanë. TVSH-ja është taksa më dinamike, e konsumit, prandaj është tregues se diçka nuk shkon me bizneset”.
Sipas Arben Shkodrës, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, “administrata tatimore ka ardhur në përmirësim e sipër dhe ka shtyrë në krijimin e borxhit”, por “nuk duhet harruar se vijmë pas 3 goditjeve të mëdha, që sollën dëme dhe mospërgjigje në kohë nga shteti”.