Ministria e Financave propozon ndryshime në ligjin “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”. E pakënaqur nga mënyra sesi ka funskionuar deri më tani, ministria propozon ndryshime thelbësore në mënyrën e funksionimit të këtij institucioni.
Në relacionin që shoqëron këto ndryshime, nënvizohet se në këto vite Korporata vetëm ka shpenzuar para duke mos siguruar të ardhura. Fondet për paga e borde janë siguruar nga buxheti i shtetit dhe pikërisht ndryshmet e bëra në ligj synojnë eliminimin e kësaj forme shpenzimi dhe realizimin e një rezultati pozitiv.
Në ndryshimet që prekin disa pika ajo që bie më shumë në sy është fakti që tashmë tagrin që kishte ministri përgjegjës për ekonominë është hequr duke autorizuar kështu qeverinë që të caktojë në rolin e përfaqësuesit të saj çdo ent publik vendas ose të huaj.
Konkretisht pika 2 e nenit 4 në ligjin aktual thotë shprehimisht se “Autoriteti publik që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të Korporatës është ministri përgjegjës për ekonominë”
Në draftin e rishikuar pika 2 e nenit 4 thotë “Këshilli i Ministrave në cilësinë e pronarit, përcakton entitetin publik si përfaqësuesi i aksioneve të Korporatës. Këshilli i Ministrave transferon të drejtën e pronësisë së aksioneve tek entitete vendase ose të huaja që përputhen me objektin e veprimtarisë”.
Relacioni që shoqëron draftin argumentohet se arsyeja e zëvendësimit të togfjalëshit “Ministri përgjegjës për ekonominë” me“ përfaqësuesin e pronarit” gjë e cila është reflektuar në relacion, gjithashtu është sugjeruar riformulimi i pikës 2 të nenit 4, sugjerim i cili është marrë tërësisht në konsiderate duke riformuluar dispozitën dhe duke nxjerrë në pah qëllimin dhe të drejtën që ka Këshilli i Ministrave si pronar, për të caktuar si përfaqësues të pronarit (të tij) një entitet publik vendas/të huaj, në përputhje me objektin e veprimtarisë.
Drafti gjithashtu sjell në vëmendje rezultatet negative të Korporatës së Investimeve të cilat kanë pasur vetëm shpenzime.
“Nga krijimi deri më sot shoqëria “Korporata e Investimeve Shqiptare” sha Tiranë nuk realizon të ardhura. Shpenzimet e kryera janë përballuar nga fonde të akorduara nga Buxheti i Shtetit. Shoqërisë i janë akorduar nga Buxheti i Shtetit 2,198,000,000 lekë, të cilat janë përdorur për paga, auditues ligjor dhe studime e projektime.
Korporata nuk ka paraqitur një program të zhvillimi ekonomik efektiv (pozitiv), ku të parashikohen të ardhura nga projekte konkrete apo studime, mbi të cilën parashikohet vazhdimësia e shoqërisë” thuhet në dokument.
Qeveria miratoi në vitin 2019 një ligj për Korporatën e Investimeve i cili si nga ekspertët e ekonomisë edhe nga opozita u kundërshtua fort duke nënvizuar se kjo do të ishte një formë abuzive e shfrytëzimit të pasurisë kombëtare. Por nga momenti i miratimit e deri më tani shifrat tregojnë se Korporata nuk ka krijuar të ardhura por vetëm shpenzime ndërkohë që nuk ka pasur asnjë projekt zhvillimi efektiv.