Qeveria mbetet e vendosur që të taksojë profesionet e lira, ato që vetë i përjashtoi nga taksat dy vite më parë, së bashku me bizneset e vogla. Drafti i Ministrisë së Financave është duke u diskutuar me grupet e interesit dhe ka ngjallur jo pak kritika dhe shqetësim. Aq sa kontabilistët deklarojnë se do t”i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
I ftuar në “A2Business” të gazetares Aurora Sulce, Niko Lera, Drejtor i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave shpjegoi se përse po taksohen profesionet e lira dhe jo bizneset e tjera të vogla.
Sipas Lerës, fitimi neto deri në 14 milion lekë në vit taksohet 15 për qind. Ndërsa çdo lek shtesë mbi 14 milion lekë do të taksohet me 23 për qind.
Pra, sipas tij, nga rreth 105 mijë tatimpagues të biznesit të vogël, vetëm 0.3 për qind e tyre deklarojnë fitim mbi 14 milion lekë. “Ata që do të taksohen me 15% janë rreth 7-8 mijë biznese dhe norma efektive e tyre nuk do të jetë asnjëherë 15% sepse do të gëzojnë të drejtën e zbritjeve”, deklaroi Lera.
Pse kjo kategori? Është një diskriminim…
“Është gabim që e fokusoni vëmendjen vetëm te termi “profesione të lira”. Ne po taksojmë furnizuesit e shërbimeve, sepse periudha nga viti 2015-2023 pjesa dërrmuese, 95 për qind e tatimpaguesve të vegjël, ku hyjnë edhe furnizuesit e shërbimeve, e kanë pasur tatimin zero. Në këtë periudhë ka ndodhur fenomeni i zhvendosjes së tatimpaguesve nga një kategori taksimi, te tjetra, për shkak edhe të taksës zero”, u shpreh përfaqësuesi i Ministrisë së Financave.
Këto deklarata u hodhën poshtë nga eksperti kontabël Sotiraq Dhamo. Sipas tij, ky ligj godet këto profesione, duke akuzuar qeverinë se ndryshoi një prej premtimeve elektorale.
Argumentet e sjella nga përfaqësuesi i qeverisë janë super të përsëritura, por nuk është që të mbushin mendjen për këtë politikë. Taksa zero deri në 14 milionë lekë të qarkullimit pa TVSH është vendosur nga qeveria për qëllimet e saj.
Ta dinë që qeveria ndryshoi premtimin elektoral. Mendoj se ky ligj ka një pykë përveç qëllimit që godet profesionet e lira. Avokatët, noterët, kontabilistët që investojnë në profesion dhe bëjnë biznes. Këto i nënshtrohen kontrollit nga Tatimet, nuk paguhen për leje. Tatohemi njësoj si pagë. Ligji barazon tatimin e biznesit të vogël me tatimin mbi pagat. Kjo është antikushtetutese”, argumentoi Dhamo.
Ekspertët kontabël të ftuar në studio deklaruan se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar draftin e Ministrisë së Financave.