Sfida kryesore me të cilën po përballet aktualisht Shqipëria është largimi forcës së punës. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u shpreh në konferencën “Forcat e punës, sfidat e së ardhmes në Shqipëri’, e organizuar nga Dhoma Amerikane dhe Revista Monitor se, për të ndalur hemorragjinë, tregu duhet të ofrojë kushte të denja për punonjësit. Ministrja tha se duhet të ndërthuren ura bashkëpunim qeveri-biznes për një pasqyrim më të mirë të tregut të punës dhe ngritjen e instrumenteve të duhura.
Aktualisht janë ngritur dy komitete teknike sektoriale, ai i teknologjisë dhe informacionit dhe një komitet në sektorin e turizmit, me qëllim nxjerrjen e pah të kërkesës së biznese dhe marrjen e masave nga ana e qeverisë.
“Sfidat e tregut të punës janë gjithëpërfshirëse. Për t’i adresuar ato, duhet analizuar e gjithë ekonomia, duhen analizuar gjithë pikat e dobëta për ti bërë ballë të ardhmes. Sot gjendemi në një situatë shumë sfiduese.
Tregu i punës, migracioni është një element i cili është sfidë, ka qenë sfidë dhe me hapat tona drejt integrimit në Bashkimin Europian do të vazhdojë të jetë i tillë. Si do ta bëjmë ne Shqipërinë, biznesin shqiptar më konkurrues krahasuar me bizneset në Europë? Si do ta bëjmë ne ekosistemin ekonomik shqiptar më konkurrues, me qëllim që të mbajmë forcat e punës dhe të mos të kemi largim të tyre? Kjo është një përgjigje që nuk ka një zgjidhje.
Kjo është një përgjigje që do analizë dhe do disa veprime kolektive të njëpasnjëshme.
Secili në ekosistemin e vet është duke bërë diçka. Tregu i punës, si çdo treg tjetër, përcaktohet nga kërkesa dhe oferta. Një çmim më i mirë do ta mbajë punonjësin më të lidhur në punë. Një politikë industriale e mirëmenduar, një strategji biznesi për të mbajtur punonjësit është një nga zgjidhjet e problematikës në mikro.
Nuk dua të heq përgjegjësinë që ka qeveria në këtë drejtim. Ne sot paraqitemi me shumë sfida dhe emigracioni është një nga ato. Ndryshimi i tregut të punës është sfidë me vete. 5 vite më parë kërkesat e tregut të punë kanë qenë komplet të ndrysmë nga ato sot. Punët e sotme janë punë që edhe para pesë vitesh mund të mos imagjinoheshin dot fare.
Aftësitë e kërkuara sot janë të reja. Kjo do të thotë që politikat tona për ndërtimin e instrumenteve të duhur, për t’i ardhur në ndihmë tregut të punës duhet të jenë në zhvillim dhe lëvizje. Nëse para disa vitesh qeveria bënte një vrojtim të “skills recognize” që bëhej në frekuencë 4-vjeçare dhe na jepte një pasqyrë shumë të mirë të asaj që kërkohej në ato moment dhe të politikave që ne duhet të hartonim, sot ky vrojtim duhet të bëhet më shpesh, dhe duhet të jemi në një trend të vazhdueshëm të kërkimit për nevojat e tregut.
Niveli i zhvillimit të Shqipërisë sot, gjithë projektet e mëdha që kanë filluar, janë projekte të cilat kërkojnë aftësi, janë projekte që kërkojnë profesione.
Kjo është arsyeja që ne nëpërmjet instrumenteve që kemi aktualisht dhe që po ndërtojmë duam të ndërthurim ura bashkëpunimi me bizneset me qëllim që të dëgjojmë nga bizneset aktualitetin dhe të mos presim rezultatet e një vrojtimi apo studimi që do na vijë me shumë vonesë.
Kjo është arsyeja që ne kemi ngritur disa komitete teknike sektoriale në bashkëpunim me biznesin, të cilat kanë për qëllim pikërisht dhënien e pikturës më të mirë të kërkesave të biznesit për sektorë të caktuar dhe marrjen e masave nga ana jonë për të përpiluar kurrikula të reja apo hapjen e kurseve të reja qoftë në shkollat profesionale apo në universitete.
Aktualisht kemi ngritur dy komitete, komitetin që merret me teknologjinë e informacionit që sigurisht është sfida e aftësimit për të ardhmen, pasi digjitalizimi është zgjidhja e shumë problematikave që shteti jonë ka, qoftë duke filluar nga informaliteti, duke filluar nga ofrimi i shërbimeve, duke vazhduar me eficiencën dhe produktivitetin si në sektorin shtetëror edhe në atë privat.
Dhe gjithashtu një komitet tjetër që lidhet me turizmin dhe aftësitë në ketë sektor, që kanë një potencial të jashtëzakonshëm që vitet e fundit ka ardhur në rritje”.