Shqipëria është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor, inflacioni i të cilit është në nivelin një shifror. Sipas Artan Gjergjit, kjo vjen vetëm për shkak të vendimit të qeverisë për të subvencionuar çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.
“Jemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që kemi inflacion me një shifër. Dhe kjo vjen për mendimin tim nga fakti që qeveria ka subvencionuar energjinë elektrike. Kjo do të thotë që ne nuk e kemi impaktin e rritjes së energjisë elektrike të pasqyruar në nivelin e çmimeve. Pra, nëse do të kishte ndodhur si në vende të tjera… Nëse qeveria do të heqë dorë nga mbështetja e energjisë elektrike sepse vërtet do të jetë e papërballueshme, pastaj që realisht inflacioni do t’i afrohet shifrave të mëdha”, tha Gjergji në A2 Business.
Sipas tij, paketat që ka miratuar qeveria për të ndihmuar shtresat në nevojë, kanë synuar një farë amortizimi të impaktit që ka rritja e çmimeve, pa pasur nevojë për studime të mëdha. “Janë ndihmuar pensionistët, dhe disa sektorë që kanë problematikë të jashtëzakonshme, siç është pjesa e bujqësisë dhe fermerët. Por Banka Botërore duhet të ndryshojë pak metodologjinë e indikatorëve të varfërisë. Ne kemi plot familje sot, që thonë se kanë të ardhura nga emigracioni apo burime të tjera. Duket sikur varfëria është ulur, e ndoshta edhe është ulur, por në anën tjetër kemi inflacionin”.