Një ditë pas projekbuxhetit, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë paketën fiskale 2023. Drafti parashikon ndërhyrje në disa ligje ekzsituese, por edhe projektligje të reja, si “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”; “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.61/2012 ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”; “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920/2008 ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”.
Për ndryshimet në projektligjin “Për procedurat tatimore” Ibrahimaj theksoi se qasja për ashpërsimin e gjobave lidhet me luftën kundër informalitetit në tregun e punës.
“Na është dashur të bëjmë një ndërhyrje për ashpërsimin e masave për rastet kur evidentohen mosdeklarime punonjësish, fshehje e pagave apo edhe mosdeklarim të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Nga ana tjetër kemi parashikuar ashpërsim të penaliteteve për rastet e mosshoqërimit të mallrave me faturë, por kjo vetëm për rastet e biznesit të madh sepse kjo lë hapësira për evazion dhe detyra jonë është të reduktojmë sa më shumë këto dukuri që të luftojmë pa kompromis informalitetin në ekonomi.
Informaliteti në ekonomi ka qenë dhe mbetet një plagë qoftë në zbatim të një konkurrencë të lirë, qoftë dhe në zbatim të ndëshkimit që personat punëmarrës marrin në vitet në vijim për mos marrjen e pensioneve të tyre në kohë. Pra, është e rëndësishme që ne të rrisim këto penalitete, me qëllim që të vëmë të drejtën në vend, të cilat kanë synim parandalues për efektet e evazionit, për efektet që do të ishin të mëdha në xhepat e punëmarrësve në momentin e daljes në pension”, theksoi ajo.
Ministrja e Financave pohoi gjithashtu se paketa e re fiskale sjell disa incentiva lehtësuese që ndërmerren në kontekstin e situatës ekonomike që po kalojmë, por edhe në linjë me proceset integruese
Ndër masat fiskale lehtësuese Ibrahimaj përmendi përjashtimin nga TVSH-ja të projekteve për fondet IPA, përjashtimin nga TVSH-ja për atë çka do të trajtohet nëpërmjet bursës së energjisë e cila shumë shpejt brenda këtij viti do të fillojë të funksionojë, si dhe përjashtimin e druve të zjarrit dhe paletave në import, po ashtu edhe në tregun e brendshëm, si një masë ndihmëse për qytetarët në kushtet kur po përpiqemi të mbajmë të pandryshuar çmimet e energjisë dhe të subvencionojmë qytetarët dhe bizneset e vogla.
“Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”.
Ky ligj në fakt ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e prezencës se Bashkimit Europian në Shqipëri, për të ndryshuar skemën e TVSH-se që lidhet me grantet nga skemë më TVSH e cila përballohet nga përfituesit vendas të projekteve në skemë përjashtuese, model të cilin e aplikojnë edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor si Maqedonia e Veriut etj. Në këtë kuadër, në projektligj është parashikuar trajtimi i importeve dhe furnizimeve brenda vendit të mallrave/shërbimeve, të destinuara për realizimin e projekteve të financuara me fonde të marra në bazë të një marrëveshje donacioni/granti, të lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave/Republikës së Shqipërisë dhe donatorëve të huaj, si furnizime të përngjashme me eksportet, pra më TVSH zero.
Në këtë mënyrë, përfituesit e projekteve me këto grante, nuk do të duhet të planifikojnë kosto lokale të TVSH-së. Efekti është neutral, pasi kosto lokale e TVSH-së përgjithësisht përballohej nga buxheti i shtetit apo ai lokal sipas rastit.
Në fund të këtij viti parashikohet të fillojë operimi i Bursës Shqiptare për tregtimin e energjisë elektrike. Për këtë arsye është e nevojshme që të zbatohet një skemë e veçantë e TVSH-së, duke përjashtuar nga TVSH-ja në import apo furnizimi brenda vendit të energjisë elektrike të destinuar për t’u shitur nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë, si dhe kalimin e përgjegjësisë për pagesën e TVSH-së, personit të tatueshëm për të cilin kryhet furnizimi me energji elektrike nëpërmjet mekanizmit të revers charge (autongarkesës). Ndërkohë që, trajtimi tatimor për tregtimin e energjisë elektrike jashtë bursës do vazhdojë sipas skemës ekzistuese.
Në projektligj është parashikuar gjithashtu përjashtimi nga TVSH-ja në import dhe në furnizimet brenda vendit i druve të zjarrit, paletave për ngrohje etj, për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2023, si një masë për zbutjen e efekteve të situatës energjetike çmimeve të larta të produkteve energjetike”.
Ibrahimaj theksoi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë, vlerëson shumë të rëndësishëm dialogun me biznesin, ndaj dhe në hartimin e kësaj pakete janë marrë në konsideratë propozime që kanë ardhur nga grupet e interesit apo propozime që janë rrëzuar nga grupet e interesit.
“Që në fillim të këtij viti kemi nisur një proces konsultimesh me biznesin, nga i cili kemi grumbulluar më shumë se 188 kërkesa apo shqetësime, të cilat në masën 70% janë zgjidhur. Një pjesë e kërkesave të tjera pritet të adresohen edhe përmes projektligjit të ri për Tatimin mbi të Ardhurat. Pra, gjithmonë jemi përpjekur që të marrim në konsideratë edhe kërkesat e biznesit dhe të korrektojmë ato politika fiskale që nuk kanë dhënë rezultatet që ne prisnim”, nënvizoi ajo.