Debate të forta në emisionin A2 Business të gazetares Aurora Sulçe në A2 CNN, ku ëhstë diskutuar për krizën energjetike. I ftuar në studio, eksperti për ekonominë në PD, Dorian Teliti deklaroi se 80 -100 mijë familje preken nga vendosja e fashës 800 mëh. Por sipas zv.ministrit të Ekonomisë, Ilir Bejtja, shifra e saktë është ndryshe.
“Për vitin 2021, 39 mijë abonentë konsumojnë më shume se 800 këh, që përbën 18,2% të konsumit total, dhe jo të gjithë me taksë të lartë, këto persona do vazhdojnë edhe në të ardhmen që të faturohen me 9.5 lekë. Në verë, është pak më shumë se 4% e fëmijëve, sot që flasim për 8-mujorin, janë rreth 45 mijë familjet që e tejkalojnë”, deklaroi ai.
Por sipas Telitit, qeveria nuk konsideron efektin sezonal të faturave. “Faturat nuk vijnë vit për vit, por çdo muaj, dhe gjatë tre muajve të dimrit të ftohtë dhe dy të verës së ngrohte, konsumi ngrihet deri në 100% sipas rasteve, ju siguroj që janë të paktën 100 mijë familje që do të preken, kur flisni për mesatare vjetore kemi të bëjmë me lojëra fjalësh”.
Argument i Telitit kundërshtohet nga Bejtja, që thotë se “konsumi që kemi në gusht arrihet në dimër vetëm në festat e fundvitit, ndërkohë që në dimër dhe në verë konsumi është pak a shumë i njëjtë” Zëvendësministri deklaroi se “ me parashikime konservatore, prodhimi i KESH-it dhe çmimet në tregun ndërkombëtar, bën që mos të parashikohen ndërprerje të energjisë, duke garantuar furnizimin e tregut me 100% të kërkesës”.
Ndërkohe për përfaqësuesin e biznesit, Sokol Kraja, masat që duhen të ndërmerren janë “ulja e konsumit, që po e bën e gjithë Europa, hapi i dytë incentivimi i gjithë bizneseve për panelet diellore, nga 1 megavat në 2 megavat, pa u bërë detyrimisht një prodhues i licensuar energjie, duke rritur kështu autosuficencën. Sistemi elektroenergjetik duhet të ndajë konsumatorët, shumë familje kanë shndërruar banesat në biznese”. Sipas ekspertes së ekonomisë Teuta Nunaj, “qeveria duhet të shkëpusë furnizimin e energjisë elektrike nga buxheti i shtetit, por edhe qytetarët duhet të kenë ndjeshmërinë e kursimit, ka shumë mënyra sesi mund të kursehet energjia elektrike”.