Ekonomia shqiptare do të shënojë rritje këtë vit, pavarësisht inflacionit të lartë. Është ky mesazhi që guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dha gjatë takimit me Zv.drejtorin e Përgjithshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Bo Li. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i FMN është duke zhvilluar një sërë takimesh të nivelit të lartë me autoritetet kryesore të vendit në kuadër të vizitës të tij zyrtare në Shqipëri.
Fillimisht, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat kanë qenë një mbështetje e vazhdueshme për hartimin e reformave ekonomike dhe financiare të vendit dhe sidomos për zbatimin e reformave të nevojshme për konsolidimin e sistemit bankar shqiptar.
Më tej, Guvernatori e ka njohur zotin Li me zhvillimet më të fundit makroekonomike në Shqipëri, me ecurinë e inflacionit dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë për mbajtjen e tij nën kontroll, me ecurinë e kreditimit në vend, konsolidimin e sistemit bankar dhe punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në këtë fushë.
Në përmbushje të mandatit të saj kryesor, Banka e Shqipërisë ka vijuar procesin e normalizimit të politikës monetare, duke rritur normën bazë të interesit 3 herë gjatë këtij viti, për kontrollin e presioneve inflacioniste dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda një horizonti kohor afatmesëm. “Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërhyjë në kohën dhe me forcën e duhur për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend, duke krijuar kushte të përshtatshme për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare.” u shpreh Guvernatori.
Ambienti i jashtëm vazhdon të mbetet sfidues. Megjithatë, Guvernatori parashtroi se ekonomia shqiptare pritet të shënojë rritje në vitin 2022 e më tej, duke dëshmuar gjerësinë dhe soliditetin e burimeve të rritjes, qëndrueshmërinë e mbështetjen e sektorit financiar, si dhe fleksibilitetin e sektorit privat.
Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se vitet e fundit ky sistem ka patur një konsolidim të mëtejshëm, karakterizuar nga tregues të qëndrueshëm financiarë dhe likuiditet i bollshëm për të mbështetur zhvillimin e vendit. Gjatë vitit 2022, depozitat dhe kreditë u rritën, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme.
Disa nga çështjet e tjera në të cilat ai u ndal ishin nxitja e kreditimit të shëndetshëm, reduktimi i kredive me probleme, digjitalizimi i tregut të pagesave dhe fuqizimi i aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme. Ndërmarrja e hapave konkretë në secilën fushë mbetet një tregues konkret i angazhimit të Bankës së Shqipërisë për respektimin e detyrave të saj ligjore, adresimin e sfidave të reja, si dhe mirëqeverisjen institucionale.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i FMN, z. Bo Li, nga ana e tij theksoi se vitet e fundit, Shqipëria është përballur me tre goditje të forta të njëpasnjëshme si tërmeti i vitit 2019, pandemia mbarëbotërore dhe rritja e theksuar e ҫmimit të energjisë dhe ushqimeve për shkak të luftës në Ukrainë e megjithatë vendi ka vazhduar progresin e tij, falë edhe masave mbështetëse dhe koordinimit përkatës të autoriteteve kryesore në vend për të kufizuar në kohë efektin e këtyre goditjeve.
Një meritë e veçantë për këto arritje të mëdha i takon Bankës së Shqipërisë, e cila ka qenë mjaft e suksesshme në zbatimin e politikave të saj, duke kontribuar në një ambient të shëndoshë makroekonomik dhe duke siguruar një treg të konsoliduar bankar në Shqipëri. “Banka e Shqipërisë me të drejtë ka nisur procesin e normalizimit të politikës monetare në vitin 2022 për të mbajtur në kontroll presionet inflacioniste..” u shpreh z. Li.
Më tej, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, z Li, nënvizoi se pavarësisht sfidave botërore dhe efekteve të tyre lokale, Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën e reformave të mëtejshme me qëllim adoptimin dhe përafrimin me standardet e BE-së. . Forcimi i institucioneve, përmirësimi i qeversisjes dhe përputhshmëria me standardet më të mira ndërkombëtare mbeten kushte thelbësore për zbatimin e reformave dhe arritjen e këtyre objektivave.
Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e FMN-së vizituan edhe Muzeun e Bankës së Shqipërisë, ku u njohën me rrugëtimin ndër vite të monedhës shqiptare, historinë financiare të vendit dhe krijimit të bankës qendrore në Shqipëri.