Tërheqja e mbështetjes ndaj qeverisë së pakicës nga forca kryesore politike në Mal të Zi po shkakton reagime të shumta në opinion.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq në takimin me homologun bullgar të hënën, paralajmëroi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare si pasojë e miratimit të marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe.
Analistët dhe shoqëria civile thanë për marrëveshjen bazë, të miratuar nga qeveria malazeze, se ”ka një sërë anomalish juridike që cenojnë karakterin laik të shtetit”.
Ndërkaq, kryeministri malazez, Dritan Abazoviç vlerësoi në një postim në Twitter se “qëndrimi i shumicës do të jetë përcaktues për të ardhmen e qeverisë.”
Partia Demokratike Socialiste (PDS) e presidentit aktual Milo Gjukanoviq, të dielën bëri të ditur se qeveria e pakicës e kryeministrit Dritan Abazoviç e ka humbur mbështetjen e kësaj partie për shkak të votimit pro marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe.
PDS-ja u shpreh se qeveria kishte ndryshuar kursin politik dhe “me nxitim, në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa konsultim me publikun profesionist lidhi kontratën me Kishën Ortodokse Serbe, gjë që i shkaktoi dëme të pallogaritshme interesave shtetërore të Mali i Zi “.
Kryeministri Dritan Abazoviq, reagoi nëpërmjet mediave sociale.
“ Do të shohim se cili do të jetë qëndrimi i shumicës së deputetëve. Mali i Zi duhet të ecë përpara . Krimi, korrupsioni dhe nacionalizmi nuk janë opsione. E ardhmja evropiane do të fitojë”, tha Abazoviq në një postim në Twitter.
Presidenti malazez, Milo Gjukanoviç në takimin me homologun bullgar, Rumen Radev tha se “ rënia e mundshme e qeverisë mund të ngadalësojë procesin e integrimit në BE, por nuk mund të tolerojmë papërgjegjshmërinë ndaj interesave kombëtare”.
Zoti Gjukanoviç në konferencën për media paraqiti idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Mal të Zi.
Shumica e ministrave të pranishëm në mbledhjen e qeverisë të premten votoi pro marrëveshjes së propozuar për marrëveshjen bazë me Kishën Ortodokse Serbe.
Mosmarrëveshjet mes shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe filluan që në vitin 2006 me pavarësinë e këtij shteti. Kisha Ortodokse Serbe, sipas analistëve, mbetet nën ndikimin e politikës së Beogradit dhe të Moskës.
Përveç çështjeve të pazgjidhura rreth pronës, analistët thonë se kisha serbe është përzier disa herë edhe politikisht në çështjet malazeze, përfshirë organizimin e protestave përpara zgjedhjeve që rrëzuan aleatët qeverisës të zotit Gjukanoviç në vitin 2020.
Analistët dhe shoqëria civile në Mal të Zi ka vënë në dukje një sërë anomalish juridike, që nga fakti se disa dispozita janë në kundërshtim me rregulloren pozitive të Malit të Zi e deri te deklarimi se me këtë marrëveshje cenohet karakteri laik i shtetit, i garantuar me kushtetutë./VOA