Qeveria ka pamundësi të forta për të paguar borxhet që ka krijuar. Një problem jo i vogël, i krijuar kryesisht gjatë viteve të fundit dhe që rrezikon shëndetin e financave publike, sipas konstatimit edhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Bëhet fjalë për detyrime të papaguara ndaj biznesit (TVSH e parimbursueshme kryesisht), si dhe për moszbatim të vendimeve të gjykatave për punonjësit e larguar padrejtësisht nga puna.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në fund të vitit 2018 detyrimet e prapambetura ndaj vendimeve gjyqësore arritën në një total prej 1.9 miliardë lekësh ose rreth 15 milionë euro. Ato zunë 31.1 për qind e stokut total të detyrimeve të prapambetura me vlerë 6.1 miliardë lekësh që raportoi qeveria qendrore deri në fund të vitit 2018.
Detyrimet e prapambetura që vijnë nga mosekzekutimi i vendimeve të gjykatave vijnë janë akumuluar kryesisht nga fluksi i madh i vendimeve për punonjësit e pushuar me të padrejtë nga administrata publike.
Edhe pse qeveria ka synuar të reduktojë administratën publike nëpërmjet përqendrimit të ministrive, shpenzimet nuk kanë mundur të mbahen nën kontroll pasi shumë shpesh për një funksion janë paguar dy paga. Shkarkimet nga puna pas rrotacionit politik të 2013 dhe më vonë më reformat në përqendrimin e ministrive pas vitit 2017 u bënë të zakonshme dhe po aq të zakonshme vendimet e gjykatave që u dhanë të drejtë punonjësit.
Kështu taksa paguesit shqiptar janë duke i paguar shumë shtrenjtë shërbimet publike edhe pse cilësia e tyre lë shumë për të dëshiruar pavarësisht reformave.
Stoku i detyrimeve të qeverisë qendrore arriti sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Financave në 6.1 miliardë lekë në fund të vitit 2018.
Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë raporton që detyrimet e krijuara për periudhën Tetor – Dhjetor 2018 janë në vlerën 648.3 milion lekë si 3-mujor ose 3.24 miliard lekë progresiv deri në Dhjetor 2018, kryesisht referuar detyrimeve të ARRSH-së dhe AKUK-së për:
Ministria e Mbrojtjes raporton 988.9 milion lekë detyrime të akumuluara, ku pjesa më e madhe i përket programit të Emergjencave Civile. Për tremujorin Tetor-Dhjetor 2018, ky institucion ka krijuar detyrime të reja në vlerën 101.5 milion lekë, ndërkohë që stoku i mbartur është rreth 887.4 milionë lekë.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë raporton që detyrimet e krijuara për periudhën Tetor – Dhjetor 2018 janë në vlerën 2 milion lekë. Në total MASR ka 57.8 milion lekë detyrime të akumuluara.
Ministria e Drejtësisë raporton se totali i detyrimeve të prapambetura për deri në Dhjetor 2018 (progresiv) raportohet në vlerën 77 milion lekë. Ndërkohë për periudhën Tetor – Dhjetor 2018, kjo ministri nuk ka krijuar detyrime të reja. Pjesa më e madhe e detyrimeve i referohet kryesisht zërit të investimeve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale raporton se ka një stok detyrimesh të prapambetura prej 377 milion lekë, progresiv deri në Dhjetor 2018. Për tremujorin Tetor-Dhjetor 2018, ky institucion ka krijuar detyrime të reja në vlerën 68.9 milion lekë, kurse ato të mbartura nga vlerësimi më i fundit i muajit Shtator 2018 janë rreth 308.1 milion lekë.
Ministria e Brendshme raportoi se stoku i detyrimeve deri në Dhjetor 2018 është në vlerën 735.7 milion lekë.
Më tej Ministria e Bujqësisë dh Zhvillimit Rural ka të akumuluara 38.9 milion lekë, ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme – nuk ka detyrime të prapambetura të krijuara rishtazi, por deri në Dhjetor 2018 ka një stok detyrimesh në masën 11.3 milion lekë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka akumuluar një stok 340.4 milion lekë, ku 273.2 i dedikohen detyrimeve për vendime gjyqësore.
Ministria e Kulturës raportoi stok detyrimesh deri në Dhjetor 2018 është 3.8 milion lekë. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit raportoi stok 195.2 milion lekë dhe Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve ka akumuluar 105.2 milion lekë detyrime të prapambetura për vendime gjyqësore lidhur me rimbursimin e TVSH.