Nga Aurora Sulçe
Buxhetimi gjinor po konsiderohet një prioritet nga qeveria shqiptare. E kjo jo vetëm në deklarata publike, por në fondet që akordohen cdo vit nga buxheti. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se financimet për buxhetimin gjinor kanë ardhur në rritje që prej vititi 2015. Kjo falë edhe asistencës së ofruar nga UN Women për të identifikuar dhe asistuar projekte, që realisht japin rezultatet të prekshme në buxhetimin gjinor.
Sipas të dhënave, në vitin 2015, fondet për buxhetimin gjinor vlerësoheshin në 4.8 miliardë lekë. Ato u rritën në mbi 7.8 miliardë lekë në periudhën 2016-2018 dhe më tej në mbi 15.1 miliardë lekë në fund të 2019-ës. Edhe në vitin 2020, sic duket nga grafiku, fondet nga buxheti I shtetit për buxhetimin gjinor mbetën në nivelin e 15.1 miliardë lekëve, për t’u dyfishuar deri në 38.2 miliardë lekë në fund të 2021-it.
Financimet nga buxheti pësuan një tjetër rritje të ndjeshme këtë vit dhe deri në fund të 2022-it parashikohet që të shpenzohen në funksion të buxhetimit gjinor mbi 50 miliardë lekë. Në harkun kohor të 7 viteve, fondet për buxhetimin gjinor janë rritur me mbi 45.2 miliardë lekë.
“Referuar dokumentit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2022-2024 faza II, falë asistencës të ofruar, janë identifikuar dhe më tej janë asistuar me qëllim integrimin e parimeve të buxhetimit gjinor, në total në 47 programe buxhetore. Në total, në buxhetin e vitit 2022 u parashikuan mbi 50 miliardë lekë ose rreth 490.1 milionë dollarë për të mbështetur politikat me bazë gjinore”, shprehen burime zyrtare nga Ministria e Financave.
Sipas përllogaritjeve, kjo shifër përbën rreth 9% të totalit të shpenzimeve buxhetore për këtë vit. Edhe në rast se do t”i referoheshim këtë raporti, sërish duket qartazi mbështetja buxhetore në rritje për politikat gjinore. Për këto të fundit, në vitin 2015 janë dhënë fonde vetëm sa 1% e totalit të shpenzimeve buxhetore, ndërsa aktualisht fondi ka arritur në 9% të totalit të shpenzimeve buxhetore, duke qenë ndër më i larti në rajon.