Policia e Tiranës ka vendosur mbi 200 gjoba pranë Liqenit të Thatë, në afërsi të Kopshtit të ri Zoologjik të Tiranës, pasi është bërë rruga me një sens lëvizje.
Rreth 20 shoferë kanë pasur konfrotim me Policinë, pikërisht për shkak të gjobave që marrin. Eksperti i trafikut, Sokol Kikino, i cili nuk e kishte parë sinjalistikën e vendosur për ndalimin e rrugës, thotë se është gjobitur dhe I është pezulluar patenta për 3 muajt e ardhshëm, e një fat të ngjashëm me të, sipas tij, kanë pasur dhe rreth 20 shoferë të tjerë.
Kikino thekson se policët duhet të jetë më bashkëpunuese e duhet të vendosen në krye të rrugës, me ditë të tëra për të informuar qytetarët. Sjelljen e uniformave blu, ai e cilëson si me dy standarde.
Pas mbërritjes së medias, policia luajti një rol këshillues për shoferët që nuk e shikonin sinjalistikën dhe i orientonin drejt segmentit që duhet ndjekur. Nga ana tjetër, shoferët kishin mendime të ndryshme sa i përket vendimit për ta kthyer këtë rrugë në një sens lëvizje. Njëri prej tyre tha se ky vendim duhet të anulohet, ndërsa një tjetër, u shpreh se prej dy javësh qarkullimi është lehtësuar ndjeshëm.