Detaje të reja janë zbardhur ndaj arrestimit të ish-kryebashkiakut Agim Kajmaku nga karabinierët e San Benedettos në një fidanishte në Grottammare, pasi u kap me 20 kg kokainë.
Sipas informacioneve, mësohet se pakot me kokainë që i janë sekuestruar Agim Kajmakut do të dërgohen në Ankona për t’u analizuar për të përcaktuar përqindjen e pastërtisë së drogës.
Pasi i gjetën rreth 20 kg drogë, policia italiane ka kontrolluar shtëpinë e Kajmakut dhe nipit të tij të dy të arrestuar. Ish-kreu i bashkisë Vorë jeton me familjen në Monterubbiano, ndërsa nipi i tij jeton në Terra delle Aquile, ku punon si punëtor. Shtëpitë rezultuan të pastra si për xhaxhanë edhe për nipin, të cilët vazhdimisht përsërisin se nuk dinë asgjë për praninë e drogës në vazo.
Ndërkohë hetuesit vijojnë hetimet për të konstatuar se si ka mbërritur në fidanishte 18.8 kilogramë kokainë, të cilët ishin fshehur në vazot e bimëve që ishin blerë nga fidanishtja shqiptare.
Sipas dëshmisë së tyre, ata shkuan për të blerë bimë në disa fidanishte të zonës dhe i mblodhën në atë të Grottammare, ku duhej të ngarkoheshin.
Më vonë, u zbulua sasia e madhe koka, me vlerë gati një milion euro. Tani po punohet për të përcaktuar se nga erdhën, ku ishin dhe kush i ka ngarkuar bimët që përmbajnë drogën.
Vetë Kajmaku bashkë me nipin e tij kanë mohuar çdo fakt që i përfshin ata me kokainën e gjetur në Itali.