Policia ka zbuluar një tjetër banesë të përshtatur për kultimvimin e bimëe narkotike me anë të llambave në Lezhë.
Mësohet se specialistët Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, në vijim të operacionit të koduar “Blinisht”, pas kontrolleve të ushtruara ditën e djeshme, sot mësynë në banesën e një të afërmi të shtetasit A.S., të cilën ky i fundit e kishte në ruajtje.
Aty shërbimet e Policisë kanë sekuestruar dhjetëra fara të dyshuara narkotike kanabis, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, 28 llamba elektrike dhe pajisje të ndryshme që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Gjatë operacionit “Blinisht”, që u zhvillua ditën e djeshme, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 230 fidanë të dyshuar narkotikë, të cilët shtetasi A. S. i kishte kultivuar në kubikë, në afërsi të banesës së tij.
“Autori i dyshuar i kësaj veprimtarie dyshohet të jetë shtetasi A. S., i arrestuar ditën e djeshme, gjatë operacionit “Blinisht”, thekson Policia.
Materialet procedurale hetimore iu referuan shtesë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, po në ngarkim të shtetasit të arrestuar A.S., për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.