Kur në përgjimet e autoriteteve Italiane për “Ndrangeta”-s u shfaqën biseda se si anëtarët e grupit mafioz kishin “respektuar” shefin e Policisë së Tiranës me mish derri të zi e djathtë, shumëkush ngriti gishtin e dyshimit ndaj ish-Drejtorit të Përgjithshëm, Ardi Veliu.
Ish-numri Një i Policisë, i shquar për aftësi jo shumë të larta, nuk arriti t’i shuajë dyshimet që qarkulluan në mjedisin publik në Tiranë, por edhe më gjerë.
Megjithatë, një hetim i brendshëm i Policisë, në përpjekje për të kuptuar më shumë situatën, ngriti një tjetër pistë se ku mund të kishte përfunduar “qoka” mafioze.
Këto zëra, të cilët gjithësesi nuk arritën të dilnin në sipërfaqe, hodhën idenë se “shefi i Policisë së Tiranës” ishte dikush tjetër, një person që ushtronte detyrën në kryeqytet dhe që kishte fuqi në lejet e ndërtimit apo në kontrollet e tyre.
Të njëjtat “zëra” tregonin se “ky shef policie” me pushtet kishte edhe lokal, ku konsumohej mish, edhe nga ata të përzgjedhurit.
Kthehemi pak në kohë. Përgjimet e Anti-mafias italiane, në kuadër të operacionit “Basso Profilo” dhe që u publikuan në fillim të janarit 2021, i përkasin periudhës 2017-2018.
Në ato përgjime, anëtarët e grupit mafioz flasin se si kishte gjetur lidhjet e duhura në Bashkinë e Tiranës dhe në qeveri për të siguruar leje ndërtimi.
Bashkëbiseduesit flisnin lirshëm për afera korruptive, ku më domethënësja ishte pikërisht “pagesa” me mish derri të zi dhe djathtë special për ‘shefin e policisë”.
Në atë kohë, pra në vitin 2017, thuhej se një shef policie në Tiranë, administronte një lokal pranë Fakultetit Juridik, ku shërbehej edhe barbekju me lloje mishrash të veçantë.
Në një publikim mediatik të hershëm raportohej shqetësimi i një qytetareje mbi zhurmën e përnatshme që vinte nga ky lokal.
Sipas artikull-shkrueses, Policia nuk ndërhynte për të shpëtuar banorët nga zhurma e madhe, pasi “lokali ishte në pronësi të Shefit të Policisë Bashkiake të Tiranës, Ermal Kapllanaj dhe një polici tjetër”.
Lokali i cituar në atë raportim të vitit 2017 quhej “Anarkia” dhe gjendej në një prej zonave më luksoze të Tiranës, pjesë e ish-Bllokut.
Këto informacione të natyrës “operative” mblodhën vartësit e Ard Veliut, nga ku ngritën hipotezën se “mish i derrit të zi” i Ndrangeta-s nuk ka lidhje me ish-shefin e madh të Uniformave Blu, por mund të ketë pasur destinacion tjetërkund.
Të dhënat i japë përcjellë edhe Prokurorisë së Posaçme, SPAK, në kuadër të hetimit të hapur në Shkurt të vitit 2021, pas publikimit të këtyre përgjimeve.
Megjithatë, për “mishin e derrit”, por edhe për lejet e ndërtimit në Tiranë, Prokuroria Speciale, SPAK, ka nisur një hetim, i cili nuk dihet nëse do të arrijë ndonjëherë fundin.
Por, në çdo rast, “mishi i derrit të zi”, kudo që ka përfunduar, tashmë është konsumuar dhe është rikthyer në natyrë sipas rrjedhës së qarkullimit të zinxhirit ushqimor./ Boldnews.al