Kryeministri Edi Rama i ka kujtuar lapsusin deputetit të Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj, të 10 viteve më parë gjatë kohës që kandidonte për kryetar bashkie në Durrës, vjen kundërpërgjigja nga ky i fundit.
Xhaferaj tha me sportivitet se lapsusi ‘Do përmirësojë cilësinë e diellit’, ishte i para shumë viteve, ndërsa solli në vëmendje raportin e DASH, që sipas tij Ramës ‘i dogji’ shumë.
“I ndërruar zoti kryeministër i vendit tim, të falënderoj se u bënë dy raste kur më përmend një lapsus të para 10 vitesh. Si në rastin e parë dhe në të dytin ju kam thënë se si po e bëni Shqipërinë dhe ti më kthehesh me një kundër argument me një lapsus. Ndihem mirë, se e mbylle fjalimin me një thënie të Amerikës. Para 2 muajsh doli një raport nga SHBA, që e quajtët copy paste, që detyronte DASH që të bënte këtë raport. Aty ka pasur një shprehje që ju ka ‘djegur’ shumë. Qeveria shqiptare dhe grupet kriminale, kanë kërcënuar gazetarët. Edi Rama dhe Emiljano Shullazi kanë kërcënuar gazetarët. Ky jeni ju!”, tha Xhaferaj.