Policia e Dibrës ka vënë në pranga një person, i identifikuar me inicialet M. Gj., u arrestua pasi është kapur duke drejtuar furgonin e tij në gjendje të dehur, të ngarkuar me lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu policia ka proceduar edhe 4 të tjerë pasi janë konstatuar duke kryer punime ndërtimi pa u pajisur me leje nga organet përkatëse.
Njoftimi i policisë;
DVP Dibër, plan masash për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë 4 të tjerë. Strukturat e DVP Dibër, në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si rezultat i kontrollit të pandërprerë të territorit, përgjatë javës kanë evidentuar dhe goditur 5 raste. Si rezultat nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër është arrestuar në flagrancë shtetasi M. Gj., pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin furgon në gjendje të dehur, të ngarkuar me lëndë drusore e prerë në mënyrë të paligjshme. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: H. D., H. L., A. D., pasi janë konstatuar duke kryer punime ndërtimi pa u pajisur me leje nga organet përkatëse. Gjithashtu ka filluar procedimi penal dhe për shtetasin P. Gj., pasi është konstatuar duke transportuar me një automjet lëndë drusore pa dokumentacion përkatës. Policia e Dibrës do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.