Dhimbjet menstruale janë shqetësim i shumë grave dhe vajzave pavarësisht moshës apo vendit. Dhe me sa duket Spanja do të bëhet vendi i parë perëndimor që do të ofrojë ‘leje menstruale’ deri në tre ditë në muaj për gratë që vuajnë nga dhimbjet.
Sipas Shoqatës Spanjolle të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, rreth një e treta e grave që kanë menstruacione vuajnë nga dhimbje të forta të njohura si dismenorrhea, me proporcion në rritje nëse llogaritet edhe dhimbja para menstruacioneve.
Qeveria spanjolle do të miratojë masën javën e ardhshme. Sipas paketës së reformës që do të kalojë në mbledhjen e ardhshme të kabinetit të Spanjës, shkollave do t’u kërkohet gjithashtu të sigurojnë pako higjenike për vajzat që kanë nevojë për to.
Sekretarja e Shtetit për Barazinë dhe Kundër Dhunës Gjinore, Ángela Rodríguez, njoftoi një paketë masash për të garantuar shëndetin dhe higjenën, në të cilën përfshihej edhe dhënia e lejes për gratë që kryejnë një abort.
“Të drejtat që lidhen me shëndetin menstrual nuk janë diskutuar kurrë dhe të dhënat janë rrëqethëse. Një në katër gra nuk mund të zgjedhë produktet e higjienës femërore që dëshiron të blejë për arsye financiare. Për këtë arsye ne propozojmë që ato të shpërndahen pa pagesë në qendrat arsimore dhe sociale.”- tha Rodríguez për El Periodico.
Shumë gra me menstruacione vuajnë nga dhimbje të forta të njohura si dismenorrhea, e cila mund të jetë shumë shqetësuese.
“Është e rëndësishme të sqarohet se çfarë është një periudhë e dhimbshme, nuk po flasim për një shqetësim të lehtë, por për simptoma serioze si diarre, dhimbje koke të forta, temperaturë”, tha Rodríguez.
“Nëse dikush ka një sëmundje me simptoma të tilla i jepet një paaftësi e përkohshme për punë, kështu që e njëjta gjë duhet të ndodhë me menstruacionet – duke lejuar një grua me menstruacione shumë të dhimbshme të qëndrojë në shtëpi,”- shtoi ajo.
Revista Living