Bluza ushtarake e presidentit Volodymyr Zelensky-t është shitur mbi 90,000 £ në një ankand për mbledhjen e fondeve për Ukrainën, në Londër. Kryeministri britanik Boris Johnson ka apeluar që të gjithë duhet të ndihmojnë Ukrainën dhe popullin e saj.
“Përkraheni Ukrainën sonte miqtë e mi, në mënyrë që kryeqyteti i madh e i lashtë evropian, Kievi të mos kërcënohet më kurrë dhe që Ukraina të jetë e lirë sërish”, u shpreh kryeministri Johnson.
Mësohet se shuma do të jetë pjesë e fondit për Ukrainën. Mediat ndërkombëtare publikuan apelin e kryeministrit Johnson i cili i kërkoi njerëzve të shpenzonin sa më shumë para dhe e cilësoi presidentin si një nga liderët më të pabesueshëm të kohëve moderne.
Një tjetër objekt i vënë në ankand ishte po ashtu dhe një kanë uji në formë gjeli që iu dhurua Johnson gjatë takimit me Zelenskyn në Kiev.
Kryeministri, lideri i parë botëror që iu drejtua parlamentit ukrainas pas pushtimit, shtoi më tej duke thënë se Mbretëria e Bashkuar do të “vazhdojë të intensifikojë” përpjekjet për të ndihmuar Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Britania ka dërguar armë dhe ndihmë në vend për të ndihmuar në zmbrapsjen e ushtrisë së Vladimir Putin.