Parlamenti shqiptar i qershorit 2019-të nuk është më i miri i mundshmi përveçse nuk është i plotë, me vetëm 122 ligjvënës. Prej 4 muajsh nga ky parlament më shumë lajme janë bërë batutat e kryeministrit dhe gafat e deputetëve të veçantë.
Por ka edhe nga ata deputetë që mbajnë mbi supe vlera të mëdha dhe që në fjalën e tij ngrenë peshë të gjithë. I tillë ishte fjalimi i deputetes së Partisë Socialiste, Tatjana Nurçe.
E njohur për jetën e saj të vështirë dhe për suksesin që ka arritur Nurçe këtë herë në fjalimin e saj është ndalur në një pikë shumë sensitive, siç është ajo e “çështjes çame.
Nurçe, mbajti një fjalim me rastin e 75-vjetorit të gjenocidit dhe spastrimit etnik mbi shqiptarët e Çamërisë, dhe e nisi fjalimin duke rrëfyer se si nëna e saj nga Filati, asokohe vetëm 7 vjeçe pa me sytë e saj masakrën e tmerrshme ndaj mijëra grave, nënave e fëmijëve.
Në fund, deputetja i bëri të gjithë kolegët të ngriheshin në këmbë e të mbanin një minutë heshtje në nderim të atyre mijëra shpirtrave shqiptarësh që u vranë në masakrat e shovinistëve të padënuar.
FJALIMI I PLOTË:
75 vjet më parë, një vajzë 7 vjeçe u bë dëshmitare se si e gjithë bota që njihte, u shua brenda pak ditësh. Me aq sa mbanin duart, ajo udhëtoi për ditë të tëra nën frikën e plumbave, nën vapën përvëluese të Qershorit, pa me sytë e saj tragjedinë më të madhe të shqiptarëve në kohët e sotme, gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Kjo vajzë ishte nëna ime, e lindur në Filat të Çamërisë, e që kurrë nuk realizoi dot ëndrrën e saj, për të parë edhe njëherë vendin ku lindi. Drama e saj është drama e gjithë shqiptarëve e jetuar në tri kohë, e larguar mes dhunës e gjenocidit, e keqtrajtuar nga diktatura komuniste, e mohuar gjatë tranzicionit.
Ndaj, për mua sot është një emocion i madh t’i drejtohem Parlamentit të shqiptarëve, si një bijë e Çamërisë që nuk harron. 27 Qershori është jubile i veçantë. 75 vite më parë, dhjetëra mijëra shqiptarë të Çamërisë u larguan nga trojet e tyre shekullore, mes tyre mijëra të vrarë për faktin e thjeshtë se flisnin shqip e besonin në fe tjetër.
Thonë që një komb që mohon të kaluarën e vet, nuk ka ta të ardhme. Kombi shqiptar ka fituar të drejtën të jetë pjesë e kombeve të qytetëruara, dhe si i tillë, ka detyrimin që anëtarëve të tij t’u kthejë drejtësinë e munguar. Ky parlament ka miratuar një Rezolutë që detyron qeverinë shqiptare të shtojë përpjekjet për zgjidhjen e çështjes çame. Unë jam krenare që kam mbështetur këtë qeveri, e cila vendosi këtë çështje në tryzën e bisedimeve me palën greke, si një çështje e cila duket të zgjidhet në praktikën më të mirë ndërkombëtare, atë të të drejtave të njeriut.
Çështja çame kurrë nuk ka qënë çështje pronash apo çështje që të varet nga mëshira e shtetit grek. Kjo çështje, o zgjidhet si një e drejtë e munguar, o nuk zgjidhet fare. Nuk do ketë qetësi për shtetin shqiptar deri në zgjidhjen e plotë të çështjes çame.
Ky 75 vjetor duhet të jetë një moment reflektimi. Çështja çame s’mund të jetë atribut i një partie por i një pajtimi të madh mes shqiptarësh. Unë kam besim se qeveria shqiptare do ringrejë axhendën çame me shtetin fqinj vetëm në kushtet e reciprocitetit të plotë. Por të dashur shqiptarë, çështja çame nuk është vetëm zbatimi i një rezolute.
Java Çame duhej të jetë pjesë e përkujtimeve zyrtare të shtetit shqiptar, që përmes saj, shqiptarët të bashkohen në përkujtimin e genocidit të pandërshkuar, dhe në përkujtimin e atyre mijërave të pafajshmëve që presin drejtësi. Kurikulat mësimore duhet të përfshijnë edukimin e brezit të ri. Ndaj, nga kjo foltore, shpreh nevojën e hartimit të një praktike kujtese, që Java Çame të jetë Java Shqiptare.
Në ditët e sotme përballemi me probleme të shumta. Ëndrra e shqiptarëve për t’ju bashkuar kombeve në Bashkimin Europian është prioritet. Por ne smund të bëhemi pjesë e kësaj familje kombesh, të gjymtuar. Askush nuk mund të na detyrojë që të mohojmë të kaluarën. Ndaj, nga kjo sallë, unë bëj thirrje për bashkim dhe mbështetje në përpjekjen e qeverisë shqiptare që këtë çështje ta mbajë në axhendë, asgjë më shumë dhe asgjë më pak, por vetëm si çështje të drejtave të njeriut. Interesi kombëtar nuk do të negociohet, dhe herët e vonë, do jemi pjesë e Bashkimit Europian si të barabartë, mes të barabartëve.
Dua të shpreh një mirënjohje të madhe për të gjithë komunitetin çam në Shqipëri. Edhe pse të mohuar, të nëpërkëmbur, ata qendruan kokëlartë dhe sot meritojnë përuljen e gjithë shqiptarëve.
Me punë, ndershmëri dhe kurajo, ky komunitet i jep shpresë Shqipërisë se një ditë drejtësia do triumfojë. Dua të falenderoj edhe shqiptarët e Amerikës që përkujtuan genocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë përmes atij tubimi madhështor e emocionues.
Në dua të mbajmë një minutë heshtje, në nderim të atyre mijëra shpirtërave shqiptarësh të Çamërisë të humbur në masakrat e shovinistëve të padënuar. Sepse, është detyrimi ynë që Çamëria të mos harrohet.