Nga Andi Bushati
Një peticion on line i nënshkruar nga më shumë se 5 mijë vetë kundër metodave dhe sjelljes së ambasadores amerikane Yuri Kim, ka tubuar sa hap e mbyll sytë gjithë skalionin e dytë dhe të tretë të ushtarëve që kanë në dispozicion mediat e regjimit. Po të shikosh titujt e tyre duket sikur në këtë vend po bëhet hataja. Dikush e quan një njollë në nderin e shtetit, një tjetër ringjallje të fantazmave enveriste, disa bërtasin për mungesën e integritetit moral të firmëtarëve ndërsa, më të zellshmit i kthehen refrenit të njohur, se punët kanë shkuar aq keq, sa tanimë nuk tolerohet dot mos ndërhyrja e SPAK.
Por, përtej kësaj zhurmënaje shurdhuese, që buron sa nga interesi për tu strukur pas hijes së një hiperfuqie, po aq dhe nga atavizmi i trashëguar për t’iu servilosur më të mëdhenjve, vihen re tre klishe manipulative që rrëzohen menjëherë sapo dikush tenton të vërë në punë, në mënyrë të pavarur, trurin e vet.
E para, se se ky peticion po organizohet nga militantët dhe fanatikët e Berishës. E dyta i mëshon kotësisë së kësaj proteste ndaj ambasadores, pasi ajo nuk bën asgje tjetër veçse përfaqson politikat e Departamentit të shtetit. Dhe e treta, e cila artikulohet më me pathos, është akuza gjithnjë e më prezente për anti amerikanizëm.
Le ti shikojmë njëra pas tjetrës…
1
Po, natyrisht, që atë peticion e kanë firmosur edhe mbështetës, militantë, madje dhe fanatikë të çartur të Sali Berishës. Do të ishte absurde që kjo të mos ndodhte, kur një pjesë e mirë e tyre janë të bindur se ndaj opozitës po bëhet një padrejtësi, për sa kohë lideri real i saj konsiderohet si i korruptuar dhe minues i demokracisë, ndërsa regjimi kleptokrat i Edi Ramës, një parner i ndershëm dhe besnik. Por çështja nuk është këtu, sepse mes emrave të firmëtarëve unë pashë edhe shumë të tjerë që nuk kanë asnjë lidhje me ish presidentin dhe kryeministrin e dikurshëm. Dhe nuk më duket e çuditshme që sot, mund të ketë bashkëqytetarë, që megjithëse nuk e duan apo nuk e kanë votuar kurrë Berishën, të jenë të ndjeshëm kur e shohin një ambasador të huaj të bëjë presion mbi vendimet e drejtësisë, apo të përfshihet në garat elektorale mes partive politike, madje dhe brenda tyre. Për çdo njeri me minimumin e integritetit pesonal dhe me sadopak respekt për veten, një gjë e tillë është poshtëruese dhe fyese.
Ne vërtet e kemi pranuar ta cënojmë me bindje sovranitetin tonë, kur i kemi thënë po dizenjimit dhe financimit të reformës sonë në drejtësi nga ShBA, por kjo nuk do të thotë se për hir të kësaj, duhet të mbyllim sytë kur çdo diplomati të prekur nga sindroma e Lorencit të Arabisë, i hipën në kokë të bëjë edhe gjykatësin edhe prokurorin. Dështimi i drejtësisë së re, nuk mund të arrnohet me vendime të diktuara nga Donald Lu apo Yuri Kim.
Po ashtu, cilido që e njeh dhe e do sadopak demokracinë, e ka të vështirë të kuptojë se si një përfaqësues kalimtar i SHBA-së në këtë vend, mund të ketë fuqi më të mëdha sesa vota popullore, për të vendosur se kush duhet të ulet apo jo në parlament, se cili duhet të jetë në krye të partive apo bashkive.
Qytetarë të tillë, më shumë sesa Berishën, apo dikë tjetër duan një vend normal, që funksionon sipas standarteve perendimore dhe idealeve amerikane. Ata e kanë nënshkruar peticionin si të tillë dhe kjo i’u bën nder.
Ndërsa tentativës së mediave të regjimit për ti portretizuar ata përmes klisheve partiake i ka dalë boja. Kështu kanë bërë edhe me mbrojtësit e teatrit edhe me ata të unazës edhe me studentët që protestonin duke i paraqitur si opozitarë ekstremistë. Edhe në këtë rast duan thjesht që ti intimidojnë duke përdorur trysninë e hegjemonisë amerikane, që këto kohë i shkon për shtat, propagandës së pushtetit.
2
Po është qartë se Yuri Kim nuk bën në Tiranë politika personale. Ndonëse mund ti evitojë përqafimet e ngrohta me njerëz të njohur publikisht si të korruptuar, ndonëse mund ti zgjedhë më me kujdes vilat ku preferon të pushojë, në linja të trasha ajo udhëzimet i mer nga DASH. Pra është e kotë të përgënjeshtrosh duke thënë se ajo nuk vepron me kokën e saj, apo se nuk është e kapur nga qeveria. Këtë e kanë vënë në dukje disa herë edhe përfaqësuesit e Uashingtoniit zyrtar që kanë folur për Shqipërinë. Këtu debati është i mbyllur. Por, ama duke theksuar se ajo vepron sipas udhëzimeve të eprorëve, kjo nuk do të thotë aspak se ndërhyrjet e saj në sistemin e drejtësisë apo brenda partive politike janë domosdoshmërisht të drejta. Si çdo akt publik edhe ato që ajo bën mund të tubojnë njerëz, deputetë, gazetarë, apo aktorë të shoqërisë civile, që kanë të drejtën e një mendimi të ndryshëm. Prandaj në këtë kuptim pozicionimi fallco duke u fshehur pas mburojës ajo flet në emër të DASH, është një manipulim pervers për të mos lejuar debatin demokratik dhe për të mos përfillur ata shqiptarë që mendojnë tjetërlloj.
3
Pikërisht kjo kategori, e atyre që u qëllon të mendojnë ndryshe, ka filluar të stigmatizohet me epitetin rrënqethës “anti-amerikanë”. Ata vizatohen si armiq të vendit Uillsonit, që garantoi ekzistencën e Shqqipërisë, të Klintonit që çliroi Kosovën dhe të Bushit që firmosi pavarësinë e saj. Ata anatemohen si elementët e rrezikshëm që po venë në lojë garancinë më të madhe të këtij kombi, aleancën tonë me partnerin strategjik.
Në fakt, nuk ka përrallë më groteske dhe më të pështirë sesa kjo.
Po është e vërtetë, duhet pranuar, ka pasur përherë shqiptarë që kanë qenë, në fillim të ‘90-ave, kundër burgosjes politike të liderit të opozitës nga Berisha, kur ky i fundit ishte kanakari i Uashingtonit. Ka pasur dhe të tillë që u tallën me Fatos Nanon, që doli nga qelia më katolik se papa dhe i jepte mësime Evropës plakë se si duhej të reshtohej përkrah Bushit në luftën në Irak. Ka pasur nga ata që nuk besuan tek eksportimi i demokracisë dhe te çuarja e panevojshme e trupave tona në Mosul e Afganistan, që tani pas kaq kohësh rezultoi e kotë. Ka pasur nga ata që nuk e duruan dot etiketimin si burrë shteti nga Arvizuja dhe as spekullimet se në PS gëlonin celulat anti-amerikane.
Por të gjitha këto qëndrime janë normale. Ato duhen parë si opinione ndaj politikave të njerëzve apo administratave të veçanta dhe jo si një mëri ndaj Amerikës eterne dhe vlerave të saj. Sot askush nuk e stigmatizon si tradhëtar Oliver Stonin, kur numëron gabimet e vendit të tij në raport me Rusinë dhe as Noam Chomskyn kur reket të zhbëjë mitin e rremë të ëndrës amerikane.
Natyrisht edhe këtëj nga anët tona, askush nuk është i çmendur të të quante anti shqiptar kur kundërshtoje me forcë një politikë të caktuar të Berishës dje, apo kur e bën me një të tillë të Ramës sot.
Një gjë duhet të jetë e qartë. Një shqiptar që i beson versionit të Blinkenit, Rickerit, apo Yuri Kim, nuk e do më shumë Amerikën se një i ngjashmi i vet që ka zgjedhur të dëgjojë fjalën e ish shefit të shërbimeve sekrete të Trump, Richard Grenel, apo atij kongresmenit të panjohur Lee Zeldin. Ata nuk mund të ndahen në “pro” apo “kundër, thjeshtë për faktin se në mënyrë të drejtë apo të gabuar, kanë bërë të tyret rrëfime apo lobime të ndryshme.
Në fakt, po ndodh pikërisht kjo. Mendimi i atyre që nuk i bind versioni i kësaj administrate që i shkon përshtat klikës në fuqi, po skuaflifikohet duke u anatemuar me epitetin, sa të rëndë dhe po aq qesharak të anti amerikanizmit.
Ky truk po përdoret edhe ndaj mbi 5 mijë firmëtarëve të peticionit që kërkojnë një sjellje brenda kornizave diplomatike të ambasadores Kim. Ata po shpallen si rreziku që kërcënën idilin tonë me superfuqinë. Por ndryshe nga ç’thuhet ata nuk janë as thjeshtë berishistë, as kritikë personale të Yuri Kim, dhe mbi të gjitha, as antiamerikanë. Ata janë para gjithçkaje njërëz që duan të kuptojnë, të debatojnë dhe pastaj të dëgjohen. Ata nuk na turpërojnë, po na nderojnë. Sepse edhe sikur të supozojmë se e kanë keq, në përpjekjen e tyre të gabuar drejt lirisë, janë shumë më dinjitozë se zvarranikët që i nënshtrohen pa menduar hegjemonisë.