Disa efektivë policie që kanë ndërhyrë në një sherr mes të rinjve janë goditur. Ngjarja ka ndodhur në rrugën Ismail Qemali. Fillimisht të rinjë janë konfliktuar me njëri tjetrin për motive të dobëta por më pas kanë goditur edhe policët. Një 34 vjeçar është arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. L., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Gjithashtu, shpallën në kërkim për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në bashkëpunim, shtetasit M. D., 20 vjeç dhe J. D., 22 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta 3 shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në rrugën “Ismail Qemali”, kanë goditur me sende të forta shtetasin R. S., 38 vjeç, dhe më pas nuk i janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, për të ndaluar, por i kanë kundërshtuar ata, duke i goditur për shkak të detyrës. Shtetasi E. L. është vënë në pranga, ndërsa shtetasit M. D. dhe J. D. janë larguar. Vijon puna për kapjen e tyre“, njofton policia.
Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe disa ditë më parë. 43-vjeçari Ermal Muçolli, do të përballet me gjykatën për shkak se dhunoi një efektiv të forcave të rendit, duke i shkaktuar fraktura në këmbën e djathtë. E gjitha nisi për një gjobë (1 mijë lekë), që efektivi i policisë Z. Musaj 51-vjeç po tentonte t’i vinte Ermal Muçollit, për shkak se ky i fundit kishte parkuar makinën gabim.