Leku po vazhdon forcimin në kursin e këmbimit me Euron edhe gjatë kësaj jave.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të mërkurën me 120.5 Lekë, në rënie me 0.4 pikë krahasuar me një ditë më parë.
Tashmë, kursi i Euros ka rënë shumë afër niveleve më të ulëta të 15 viteve të fundit, që ishin shënuar në dhjetor 2021. Më datë 28 dhjetor 2021, Euro u këmbye me 120.36 Lekë, duke shënuar nivelin më të ulët që prej vitit 2007.
Prej muajsh, edhe ekonomia shqiptare po përballet me shtrenjtim të fortë të çmimeve të mallrave nga jashtë, që po përcillet në nivele të larta të inflacionit në importuar. Shtrenjtimi i importeve ka dhënë një ndikim të dukshëm në rritjen e deficitit të jashtëm. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan një rritje të deficitit të llogarisë korrente në tremujorin e fundit 2021 me 56% me bazë vjetore.
Të paktën për tregtinë e jashtme të mallrave, kjo tendencë ka vazhduar edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas INSTAT, deficiti tregtar për periudhën janar-mars u zgjerua me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Duke parë tendencat e deficitit të jashtëm, një pozitë kaq e fortë e lekut në kursin e këmbimit me euron në pamje të parë është e vështirë për t’u shpjeguar. Ky konstatim ndahet edhe nga agjentët e këmbimit valutor. Ata shprehen se, në përgjithësi, tregu po shfaq kërkesë të pakët për të blerë euro, çka është disi e papritur, sidomos për sektorët importues të ekonomisë, që në muajt e fundit janë përballur me nevojën për më shumë mjete valutore, për shkak të rritjes së çmimeve.
Megjithatë, ekspertët nuk përjashtojnë që në ecurinë e kursit të euros të ketë një komponent nënçmimi anormal, nga aktorë të mëdhenj, kryesisht banka të mëdha tregtare.
Së shpejti, pritet që grupi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSHE) të realizojë blerjet e radhës në tregun valutor për nevojat e kontratave të importit të energjisë. Burimet bëjnë të ditur se blerjet mund të arrijnë një vlerë deri në 40 milionë Euro.
Për shkak të kësaj pritshmërie, një hipotezë mund të jetë që aktorët me fuqi të lartë të trregut po përpiqen ta zhvendosin kursin në rënie, në mënyrë që të fitojnë më shumë nga spread-et (marzhet) në momentin që kërkesa do të rritet për shkak të blerjeve të OSHE. Ky faktor pritet që të sjellë një korrektim në rritje të kursit të Euros me Lekun gjatë javëve në vazhdim.
Në fillim të marsit, kërkesa e lartë e OSHE shkaktoi një mbiçmim të fortë të Euros në kursin e këmbimit valutor, mbiçmim që arriti në pothuajse 5% në harkun e një jave. Por, pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë nëpërmjet shitjes së valutës, tregu u qetësua shpejt dhe në vazhdim kursi i Euros iu kthye gradualisht rënies, derisa këtë javë ka arritur pothuajse në nivelet e fundit të vitit 2021.
Burime nga sektori bankar, në fakt, konfirmojnë se 2-3 banka të mëdha në ditët e fundit kanë mbajtur pozicione në shitje të valutës, çka e shpjegon tendencën e zhvlerësimit të Euros.
Një faktor tjetër që në teori e mbështet forcimin e lekut është diferenca në normat bazë të interesit. Muajin e kaluar, Banka e Shqipërisë e rriti normën bazë të lekut në 1%, ndërsa për euron norma referuese e interesit e Bankës Qendrore Europiane qëndron ende në zero. Në tregjet e zhvilluara diferenca në normën bazë luan një rol të rëndësishëm në kursin e këmbimit mes monedhave.
Por, në tregun valutor shqiptar ekspertët mendojnë se ky faktor nuk luan një rol shumë të madh. Sipas tyre, deri tani nuk vërehet ndonjë tendencë e dukshme e zhvendosjes së kursimeve drejt Lekut, me qëllim sigurimin e kthimeve më të mëdha nga investimet financiare.
Ditën e mërkurë, Leku fitoi pikë edhe në kursin me shumicën e valutave të tjera të rëndësishme. Megjithatë, kursi i Lekut me këto valuta nuk lidhet shumë me zhvillimet në tregun e brendshëm, por reflekton kursin e valutave të tjera ndaj Euros, që ngelet monedha e huaj orientuese në ekonominë shqiptare, për shkak se dominon këmbimet tregtare të vendit, por gjithashtu ka edhe një përdorim të gjerë në transaksionet ekonomike dhe financiare të tregut të brendshëm.
Revista Monitor