Policia Rrugore e Sarandës ka nisur me intensifikim të masave për parandalimin e aksidenteve, menjëherë pas analizës 3 mujore të bërë pak ditë më parë dhe direktivave që dha Drejtori e Policisë së Shtetit Gledis Nano, me qëllim rritjen e forcës ndëshkuese nga ana e Policisë Rrugore në fuksion të rritjes së sigurisë në rrugë.
Kontrollet janë përqendruar në drejtim të evidentimit dhe ndëshkimit të shkeljeve që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore, si dhe të evidentimit dhe ndëshkimit të drejtuesve të automjeteve, që tentojnë të korruptojnë punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative.
“Në këtë kuadër, gjatë ditës së djeshme, Policia Rrugore e Sarandës ka vënë në pranga shtetasin Klianthi Anagnosti, 45 vjeç, banues në fshatin Xarë, Konispol, pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin, me shpejtësi tej normave të lejuara. Pas ndalimit nga shërbimet e Policisë Rrugore, ai ka tentuar t’i korruptojë ata, duke u ofruar një shumë parash, me qëllim shmangien e masës administrative”, njoftoi policia.
Po në zbatim të planit të masave, nga Policia Rrugore e Sarandës janë vendosur 80 masa administrative, gjatë 24 orëve, kryesisht për ndalim/pushim të mjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore dhe rregullat e qarkullimit, për parakalime të gabuara dhe për mosvendosjen e rripit të sigurimit.
Policia Rrugore e Sarandës falënderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon për të gjithë shkelësit që këto rregulla t’i zbatojnë me rigorozitet, pasi do të përballen me forcën e ligjit.