Nga Gregory A.Daddis
Në kushtet e një mbrojtjeje të vendosur dhe pasiononte, që e ka ngadalësuar ndjeshëm përparimin e rusëve drejt Kievit dhe kur luftë është denoncuar thuajse nga e gjithë bota, ka pasur shumë spekulimeve mbi motivet që e nxitën Vladimir Putini:Çfarë shpreson të arrijë ai me luftën në Ukrainë?
Disa kanë argumentuar se Putini po kundërpërgjigjej ndaj zgjerimit të NATO-s, apo se është i nxitur nga një ndjenjë e fortë e nacionalizmit rus. Të tjerë thonë se ai pa një shans të mirë për të ringjallur në Evropën Lindore ndikimin sovjetik të Luftës së Ftohtë.
Ekspertë dhe analistë të tjerë pretendojnë se ai është thjesht një lider delirant, një oligark që ka humbur lidhjet me realitetin. Por sikur vendimi i Putinit për të pushtuar vendin fqinj të jetë bazuar pjesërisht në një supozim të përhapur, se luftërat sulmuese të zgjedhura vetë, më së shumti japin një rezultat pozitiv?
Këtu vlen të analizohet nëse kjo luftë ka të bëjë po aq me çështjet lokale dhe rajonale, mbi atë se kush e kontrollon rajonin e Donbasit në Ukrainën Lindore, po aq sa ka të bëjë edhe me një besim të padiskutueshëm se përdorimi i forcës së armatosur, është rruga më e sigurt për arritjen e qëllimeve politike.
Disa analistë të politikës së jashtme amerikane, si Xhon Marshajmer i Universitetit të Çikagos, pretendojnë se mbështetja e SHBA-së për zgjerimin e NATO-s drejt lindjes, është po aq e rëndësishme në shpjegimin e krizës aktuale në Ukrainë.
Por si një historian ushtarak që ka shërbyer për 26 vjet në ushtrinë amerikane, unë besoj se një pyetje më themelore, është se përse politikë-bërësit, dhe jo vetëm në Rusi, kanë kaq shumë besim tek lufta, edhe kur llogaritjet e gabuara më të vogla, mund të çojnë shumë lehtë drejt katastrofës.
Premtimet që sjell një luftë, i kanë joshur udhëheqësit politikë dhe ushtarakë për mijëvjeçarë. Historiani athinas Tukididi, foli shumë shpesh për qytet-shtetet greke të motivuara për luftë nga nderi dhe përfitimi, por edhe nga frika që kishin nga armiqtë e tyre.
Afro 2200 vjet më vonë, Etërit Themelues të Amerikës e panë luftën si mënyrën më të sigurt për t’u shkëputur nga kontrolli perandorak britanik, për të krijuar një identitet të ri, të çliruar nga ndikimi i jashtëm, dhe për të krijuar një komb sovran.
Përfitimet e një lufte mund të jenë të shumta:pavarësi, fuqi e shtuar, territore dhe burime të reja. E megjithatë, për çdo sukses ushtarak, të dhënat historike ofrojnë raste të shumta kur ato kanë shkuar keq.
Për shembull Napoleoni mund të ketë qenë në prag të kontrollit thuajse total të Evropës në fillim të viteve 1800. Por i njëjti instrument i ushtrive të mëdha pushtuese që e ngjitën atë në një nivel të tillë , siguroi edhe rënien e tij kur përdorej nga një koalicion i fuqive rivale kontinentale.
Në dy luftëra botërore një shekull më vonë, udhëheqësit gjermanë parashikuan një rend të ri botëror të garantuar nga fitoret e mëdha ushtarake. Megjithatë ato konflikte shkaktuan dhjetëra miliona të vdekur në mbarë botën, dhe një Gjermani të mundur dy herë që kërkon shpagim dhe një rëndësi të re gjatë Luftës së Ftohtë.
Gjatë dekadave të pas Luftës së Dytë Botërore, forcat ushtarake franceze do të përballeshin me disfata në Indokinë dhe Algjeri. Amerikanët do të kishin një fat të ngjashëm në Vietnamin e Jugut, ndërsa sovjetikët në Afganistan.
Por çfarë e bën luftën të duket sikur ia vlen, pavarësisht rreziqeve të pashmangshme? Ndoshta është bindja se fitorja e armatosur, është faktori më vendimtar në çdo arenë të politikës ndërkombëtare. Gjatë epokës së Luftës së Ftohtë, udhëheqësit sovjetikë nga Josif Stalini tek Leonid Brezhnjevi, u mbështetën te lufta dhe kërcënimi i saj për të konkurruar globalisht me Shtetet e Bashkuara.
Në terma praktik, inkursionet brutale ushtarake sovjetike në Hungari në vitin 1956 dhe Çekosllovaki në vitin 1968, dukeshin si mjetet më efikase për t’i mbajtur satelitët e Evropës Lindore brenda orbitës së Paktit të Varshavës. Dhe duket se Putin i ka parë sukseset e tij të fundit në Çeçeni, Gjeorgji dhe Siri, si një pararojë e fitores në Ukrainë.
Por përkulja e “muskujve ushtarakë” e ka një kosto. Vendosja e raketave sovjetike në Kubë në fillimin e viteve 1960, e solli botën në pragun e luftës bërthamore. Kostot e mbajtjes së një ushtrie dhe marine gjigante gjatë Luftës së Ftohtë, e dobësuan shumë një ekonomi sovjetike tashmë të paqëndrueshme.
Dhe nuk ka asnjë diskutim, se lufta e gjatë në Afganistan kontribuoi në rënien përfundimtare të perandorisë sovjetike, ndërsa vetë Lufta e Ftohtë po i afrohej fundit. Atëherë çfarë perspektive pozitive mund të ofrojë nga ky përkushtim ndaj premtimit të luftës?
Së pari, këtu kanë rëndësi aspektet morale të luftërave që zgjidhen të zhvillohen. Siç pretendon filozofi Majkëll Valzer, ekziston shpesh një vijë shumë e hollë midis luftërave sulmuese të zgjedhura dhe akteve kriminale të agresionit.
Po ashtu supozimi se lufta është një forcë transformuese, që sjell ndryshime politike dhe sociale, nuk është vërtetuar gjithmonë. Kur administrata e Xhorxh W.Bush vendosi të pushtonte Irakun në vitin 2003, këshilltarët e tij kryesorë panë një shans për të transformuar qeverisjen dhe shoqërinë irakiane.
Megjithatë, udhëheqësit lokalë u treguan shumë më rezistent ndaj ndryshimeve të jashtme nga sa e parashikuan këta politikë-bërës, gjë që ndodhi edhe në luftërat në Afganistan dhe Vietnam. Edhe në Ukrainë, Putini duket e ka llogaritur gabim forcën e opozitës lokale.
Në fakt, shumë konflikte moderne, kanë treguar se fitorja nuk arrihet shpejt dhe me një kosto të ulët.
Në fund të presidencës së tij, Duajt D.Ajzenhauer këshilloi për kostot e fshehura të një kompleksi ushtarak-industrial që ushqente një gjendje të qëndrueshme lufte. Dhe duket se ai kishte të drejtë. Projekti “Kostot e Luftës” në Universitetin Braun llogariti se Pentagoni ka shpenzuar “mbi 14 trilionë dollarë që nga fillimi i luftës në Afganistan, 30 për qind deri në 50 për qind të totalit që u është dhënë kontraktorëve ushtarakë”. Në atë luftë humbën jetën rreth 47.000 civilë afganë dhe më shumë se 6.000 anëtarë të forcave amerikane dhe kontraktorë.
E gjitha kjo ngre një pyetje të arsyeshme nëse ia kanë vlejtur përfitimet nga këto luftëra duke pasur parasysh kostot e jashtëzakonshme financiare dhe njerëzore. Ndërsa bota ndjek tragjedinë që po shpaloset në Ukrainë, besoj se është e rëndësishme të merret parasysh premtimi konstant, por i gabuar i luftës.
Ndoshta historia e Athinës mund të jetë një pikënisje shumë e mirë për t`i filluar. Siç paralajmëroi edhe historiani grek Tukididi, “Është një gabim i zakonshëm kur shkohet nëluftë me idenë për t`ia filluar nga fundi i gabuar, duke u hedhur në fillim në veprim, duke pritur të ndodhin fatkeqësitë, për t`u ulur pastaj në bisedime”.
Shënim: Gregory A. Daddis, profesor i historisë moderne ushtarake të SHBA-së në Universitetin Shtetëror të San Diegos. / “The Conversation” – Bota.al