Ekzekutimi mafioz që ndodhi të dielën në mbrëmje në autostradën Tiranë-Durrës, te kthesa e Rinasit, është ende pa autor.
Grupi i hetimit nuk ka një motiv të qartë për ngjarjen.
Janë një mori pistash, personazhe të dyshuar, të marrë në pyetje dhe pse jo shumë prej tyre edhe të mbajtur tashmë nën hetim si persona që së paku kanë dijeni për rrethanat e atentatit që tronditi Tiranën.
Policia nuk ka mundur të gjejë asnjë gjurmë të mjetit nga i cili doli breshëria e kallashnikovit që i mori jetën djalit nga Rinasi i Ri, ndërkohë që përgjatë dy ditëve të fundit, kanë mundur vetëm të fiksojnë faktin se viktima, pasi është ndarë nga vëllai ku është takuar për kafe me të, është takuar me një person tjetër. Referuar të dhënave konfidenciale mësohet se të dhënat për këtë person kanë dalë nga këqyrja e tabulateve telefonike të Iljaz Çalit, por ende Policia nuk e ka marrë atë person në pyetje.
Zyrtarisht nuk bëhet me dije se kë ka takuar dhe në çfarë vendi, por bëhet me dije se në drejtim të Rrugës së Elbasanit, viktima ka shkuar konkretisht për të takuar atë person.
Sipas të dhënave të grupit hetimor, ka qenë vetë vëllai i tij, Zeqir Çali, i cili ka thënë se përgjatë kohës që ka qenë në lokal me të vëllanë, për herë të fundit të jetës së tyre të përbashkët, i binte shpesh telefoni, por vëllai nuk e ka pyetur Iljazin se kush ishte.
Sapo ata janë ndarë me njëri-tjetrin, Iljazi i ka thënë të vëllait se do të nisej në drejtim të shtëpisë, por që në fakt ka marrë Rrugën e Elbasanit. Policia nuk bën me dije se kush është ky person dhe ende nuk dihet nëse ai është marrë në pyetje për të dëshmuar në lidhje me momentet e fundit të takimit me viktimën.
Sipas të dhënave hetimore, saktësohet se vëmendja është përqendruar në zonën e Bulqizës, vend në të cilin djemtë e familjes Çali kishin një galeri, sipas dokumenteve, ndërkohë që nuk dihet se përse nuk po hetohen edhe dy vendet e tjera në të cilat kishin licenca dy vëllezërit e viktimës, në Tropojë dhe Kukës.