Një ngjarje tragjike ka ndodhur paraditen e kësaj të marte në Greqi, në afërsi të qytetit të Kilkisit. Mediat raportojnë se një tren i linjës Selanik – Idomeni ka tërhequr zvarrë tre të rinj nga Pakistani dhe njëri prej tyre ka ndërruar jetë.
Dy personta e tjerë janë transportuar menjëherë me autoambulancë dhe po trajtohen në spital. Bëhet fjalë për dy meshkuj, 21 dhe 30 vjeç, me origjinë nga Pakistani. Mësohet se gjendja e 30-vjeçarit konsiderohet e rëndë, por nuk është në rrezik për jetën, ndërsa 21-vjeçari ka mbetur i plagosur lehtë.
Deri më tani nuk ka të dhëna mbi identitetin e personit të vdekur dhe po hetohet, pasi trupi i tij u gjet i copëtuar nga zjarrfikësit. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe është duke mbledhur informacione, në qoftë se tre të rinjtë kanë qenë duke kaluar në shina, apo kanë qenë mbi vagonë dhe për arsye që nuk dihen kanë rënë në binarë.
Ky është rasti i dytë që po ndodh në vend, pasi kjo përdoret shpesh si praktikë nga emigrantët që duan të udhëtojnë drejt kufirit të Idomenit nga ku kërkojnë dalje në një vend europian.